(VIDEO) Hedhja e mbeturinave, kreytari i Shkupit paralajmëron kamera para kontejnerëve
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se mbrëmë vonë është sanksionuar një person që kishte hedhur mbetje ndërtimore dhe mbetje voluminoze në lagjen Kisella Vodë të Shkupit. Ai bëri të ditur se mbeturinat ishin hedhur rreth kontejnerëve, duke krijuar një deponi të egër. Autori u kap në vendngjarje nga inspektorët e Qytetit të Shkupit dhe menjëherë u sanksionua.
Ndaj për këtë, Gjorgjievski njoftoi gjithashtu se është duke u zhvilluar procedurë për vendosjen e kamerave në hapësirat publike, me qëllim zbulimin dhe sanksionimin më të shpejtë të personave që i hedhin mbeturinat në mënyrë të papërshtatshme.
Ndërkaq përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai thotë se për veprime të tilla nuk ka tolerancë, pasi përderisa ekipet punojnë pandërprerë për një qytet më të pastër, individë të caktuar e shkatërrojnë punën e bërë dhe ndotin mjedisin ku jetojmë të gjithë, dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve.
Orce Gjorgjievski, Kryetari i Qytetit të Shkupit
“Derisa ekipet tona punojnë pandërprerë për një qytet më të pastër, individë të caktuar e shkatërrojnë punën e bërë dhe ndotin mjedisin ku jetojmë të gjithë. Për çdo veprim të tillë nuk ka tolerancë! Një papërgjegjshmëri e tillë nuk do të kalojë pa sanksion! E kam thënë qartë dhe qëndroj pas fjalës sime – tolerancë zero për këdo që i shndërron hapësirat publike në deponi dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve”.
Ndërkaq kujtojmë se raste të tilla janë evidentuar kohëve të fundit nga ku, të shtunën, policia sanksionoi një 22-vjeçar për hedhje të papërshtatshme të mbetjeve voluminoze në Shuto Orizare të Shkupit, ndërsa para disa ditësh u gjobit gruaja e cila ishte filmuar duke hedhur mbeturina në lumin Lepenec në Shkup.
Anida Murati /SHENJA/

