(VIDEO) Aksident i rëndë në autostradën Shkup-Kumanovë, dy të vdekur dhe tre të lënduar
Një natë e zakonshme në autostradën Kumanovë–Shkup u kthye në tragjedi. Dy persona humbën jetën, ndërsa tre të tjerë u lënduan në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të shtunën në mbrëmje rreth orës 21:35, në drejtim të Shkupit, në afërsi të fshatit Agino Sello. Përplasja mes dy automjeteve la pas viktima dhe të plagosur, ndërsa në vendngjarje u angazhuan ekipet kompetente për të ndërhyrë dhe për të dokumentuar rrethanat e aksidentit.
Ministria e Punëve të Brendshme informoi se në aksident u përfshinë një automjet i tipit “Mercedes”, me targa të Shkupit, i drejtuar nga 65-vjeçari me inicialet M.M. nga Shkupi, dhe një “Opel Corsa”, po ashtu me targa të Shkupit, i drejtuar nga 27-vjeçari S.N., gjithashtu nga Shkupi.
Si pasojë e përplasjes, dy pasagjerë të “Opel Corsa”-s, V.N. (49) dhe L.M. (71), nga Shkupi, kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, pasagjerja 48-vjeçare L.N. ka marrë lëndime të rënda, ndërsa dy pasagjeret e tjera, B.N. (28) dhe S.N. (27), të dyja nga Shkupi, kanë pësuar lëndime trupore.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Pasagjerët e automjetit ‘Opel Corsa’ V.N. (49) dhe L.M. (71) nga Shkupi vdiqën në vendngjarje. L.N. (48), pasagjere femër e automjetit ‘Opel Corsa’, pësoi lëndime të rënda, ndërsa pasagjeret femra B.N. (28) dhe S.N. (27) nga Shkupi pësuan lëndime trupore dhe u transportuan në Kompleksin e Klinikave ‘Nëna Terezë’ në Shkup”.
Ndërkaq, një ekip nga Departamenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kumanovës kreu një inspektim, dhe me urdhër të prokurorit publik, drejtuesi i automjetit Mercedes, M.M., është privuar nga liria dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihen akuza përkatëse.
Anida Murati /SHENJA/

