Koncert i Muzikës Shpirtërore me mesazhe emocionale: Ky koncert është një kujtim dhe takim zemrash
Nesër me fillim në ora 19.30 në Filharmonia e RMV-së në Shkup, nën organizimin e Shoqatës Kulturore “Ensar”, Institutit Yunus Emre dhe HalkBank do të mbahet koncerti i muzikës sufiste, në të cilin do të performojnë artisti i njohur Burhan Shaban dhe këngëtari nga Turqia Mustafa Demirci, ndërkaq sipas organizatorëve ky organizin nuk do të jetë thjesht një aktivitet muzikor, por edhe një takim kulturor e shpirtëror.
Burhan Shaban: “Të ngjitesh në skenë në qytetin tënd është një ndjenjë e papërshkrueshme”
Artisti shkupjan, Burhan Shaban tha se performimi në qytetin ku ka lindur dhe është rritur ka një domethënie të veçantë për të.
“Ky koncert për mua nuk është vetëm një program artistik; është një shprehje mirënjohjeje, një kujtim dhe një takim zemrash. T’i drejtohem njerëzve të mi në këtë qytet ku kam kaluar fëmijërinë dhe kam ndërtuar ëndrrat e mia është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë”, ka thënë gjatë press konferencës së sotme.
Shaban theksoi se fakti që koncerti përkon me fillimin e Vitit të Ri Hixhri, koncertit në fjalë i jep një kuptim edhe më të veçantë, duke i ftuar të gjithë dashamirët e artit, për të cilët vet artisti Shaban bëri thirrje që të jenë pjesë e kësaj nate të veçant, e cila do të fillon në ora 19.30 tek Filharmonia e RMV-së.
Artisti Mustafa Demirci: “Arti shpreh të njëjtën ndjenjë në gjuhë të ndryshme”
Artisti Mustafa Demirci, vuri në pah forcën bashkuese të muzikës sufiste, duke theksuar se veprat që do të interpretohen në gjuhë të ndryshme bartin të njëjtin mesazh.
“Arti dhe kultura, pavarësisht gjuhës në të cilën shprehen, flasin gjithmonë për të njëjtat vlera: vëllazërinë, unitetin dhe ndjenjat e përbashkëta. Muzika sufiste është shprehja më e bukur e njohjes dhe afrimit mes zemrave”, theksoi Demirci. Ai gjithashtu theksoi se ka një lidhje të fortë shpirtërore me Shkupin dhe Ballkanin, duke shprehur dëshirën që ky koncert të kontribuojë në forcimin e vëllazërisë dhe bashkëjetesës kulturore.
Sulejman Baki: “Ky koncert do të shërbejë si një urë lidhëse”
Kryetari i Shoqatës Kulturore “Ensar”, Prof. Dr. Sulejman Baki, tha se koncerti organizohet me rastin e Mevludit dhe Vitit të Ri Hixhri, duke theksuar se ai do të ketë një rol të rëndësishëm në afrimin kulturor. Sipas tij, koncerti që do të mbahet në Sallën e Filharmonisë së Shkupit do të përfshijë interpretime në gjuhën turke, shqipe, boshnjake, maqedonase dhe arabe, ku me këtë çasje do të bashkohen kultura të ndryshme në një skenë të përbashkët.
Yunus Dilber: “Një program domethënës me rastin e 1500-vjetorit të lindjes së Pejgamberit a.s.
Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkup, Yunus Dilber, bëri të ditur se aktiviteti organizohet në kuadër të shënimit të 1500-vjetorit të lindjes së Pejgamberit Muhamed a.s.
Dilber gjithashtu tha se aktivitete të ngjashme po zhvillohen në shumë vende të botës dhe njoftoi se pas koncertit të pranishmëve do t’u shërbehet me ëmbëlsira tradicionale, ashure.
Fatih Shahbaz: “Diversiteti kulturor është një pasuri e madhe”
Drejtori i Përgjithshëm i Halkbank në Shkup, Fatih Shahbaz, deklaroi se është kënaqësi të mbështeten aktivitetet kulturore dhe artistike, duke shtuar se interpretimi i koncertit në katër gjuhë pasqyron larminë kulturore të Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, organizime të tilla kontribuojnë në harmoninë shoqërore duke bashkuar dallimet dhe duke i shndërruar ato në vlera të përbashkëta.
Koncerti i “Muzikës Tasavufike”, i cili përmes gjuhës universale të muzikës do të bashkojë kultura dhe tradita të ndryshme, do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 19:30, në Sallën e Filarmonisë së Shkupit. Ai pritet të jetë një mbrëmje e veçantë arti, spiritualiteti dhe afrimi mes njerëzve.





