Gjorgjievski: Teleferiku i Vodnos nuk do të hapet pa u servisuar plotësisht
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se së shpejti do të shpallet procedura e tenderimit për servisimin e plotë të teleferikut në Vodno, duke ritheksuar se ai nuk do të vihet në funksion deri në përfundim të sezonit.
Në një intervistë për “Sitel”, Gjorgjievski tha se teleferiku do të hapet vetëm pasi të përfundojë plotësisht procesi i rivitalizimit dhe të garantohet siguria maksimale për qytetarët.
“Kur të jem i sigurt se mund të hipi në teleferik bashkë me fëmijën tim, vetëm atëherë do të lejoj që ai të vihet në funksion. Nuk do të lejoj që të rrezikohet jeta e asnjë qytetari apo fëmije për shkak të neglizhencës së viteve të kaluara”, deklaroi ai.
Duke folur për transportin publik dhe ngarkesën e trafikut në kryeqytet, Gjorgjievski tha se pret që një pjesë e problemeve të zgjidhen me vënien në funksion të trenit të qytetit, i cili pritet të nisë punën në shtator.
Ai komentoi edhe shembjen e objektit “Ali” në trotuarin e Bit Pazarit, duke theksuar se synimi i administratës së qytetit është eliminimi i objekteve të ndërtuara pa leje.
I pyetur nëse do të ndërmerren masa edhe ndaj ndërtimeve më të mëdha të paligjshme, Gjorgjievski tha se Qyteti i Shkupit ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me të gjitha komunat për koordinimin e veprimeve në këtë drejtim.
Sa i përket kalimit të diskutueshëm për këmbësorë në Çair, ai bëri të ditur se janë shqyrtuar dy alternativa: vendosja e ashensorëve në mbikalimin ekzistues ose largimi i tij dhe ndërtimi i një kalimi të rregullt për këmbësorë me semaforë. Sipas tij, qytetarët e konsultuar janë shprehur në favor të opsionit të dytë, i cili do të realizohet sipas standardeve të sigurisë.
Në fund, Gjorgjievski u ndal edhe te pasojat e stuhisë së javës së kaluar në Shkup, e cila shkaktoi përmbytje në disa bulevarde dhe nënkalime. Ai tha se pikat kritike të sistemit të kanalizimit janë identifikuar dhe se prioritet mbetet reagimi i shpejtë dhe gatishmëria për të përballuar situata të ngjashme në të ardhmen.

