Gjermania: Deklarata e Trumpit se Zelenskyy nuk është “njeri i mirë” është retorikë zgjedhore

Gjermania: Deklarata e Trumpit se Zelenskyy nuk është “njeri i mirë” është retorikë zgjedhore

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, ka minimizuar kritikat e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke theksuar se deklaratat nuk sinjalizojnë dobësim të mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

“Deklaratat e fundit të presidentit amerikan duhet, pa dyshim, të shihen në kontekstin e fazës përfundimtare të fushatës zgjedhore në SHBA”, tha ai në një konferencë për media në Berlin.

“Besoj se duhet të përqendrohemi te thelbi i asaj që SHBA-ja vazhdon të ofrojë, përkatësisht mbështetjen për Ukrainën, në koordinim me ne”, shtoi ai.

Dje, presidenti amerikan kritikoi ashpër presidentin ukrainas lidhur me sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, duke argumentuar se këto sulme po rrisnin çmimet globale të energjisë. Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje udhëheqjen e Zelenskyyt dhe gatishmërinë e tij për negociata, duke u shprehur se “Zelenskyy nuk është njeri i mirë për të bashkëpunuar me të”.

Wadephul i cilësoi këto deklarata si retorikë të fushatës zgjedhore dhe theksoi se Washingtoni, me nxitjen e Evropës, po vazhdonte përpjekjet për të çuar përpara procesin e negociatave. Ai këmbënguli se nuk ishte Zelenskyy, por pala ruse ajo që po pengonte përparimin.

“Për mendimin tim, presidentit rus ende i mungon qartësisht çdo gatishmëri për të negociuar, ndërsa ai vazhdon bombardimet. Në të vërtetë, sapo kemi parë një tjetër rekord tragjik të numrit të viktimave civile në Ukrainë gjatë muajit të kaluar”, tha ministri gjerman.

Wadephul përsëriti se Evropa qëndronte qartësisht në krah të Ukrainës, si vendi që po përballet me agresion, por ishte gjithashtu e gatshme të lehtësonte çdo negociatë paqeje.

“Këtë ia kam theksuar sërish edhe ministrit të Jashtëm rus. Fatkeqësisht, deri më tani, fjalët e mia kanë rënë në vesh të shurdhër”, tha ai, duke iu referuar takimit të tij me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në New York muajin e kaluar.

MARKETING