(VIDEO) Stojko Ramov zëvendëson Jakim Nedelkovin në krye të sindikatës së arsimit
Stojko Ramov është zgjedhur kryetar i ri i Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Maqedonisë në Kongresin e VIII-të të rregullt të sindikatës, i cili u mbajt sot.
Ramov paralajmëroi se prioritetet kryesore të tij do të jenë përmirësimi i statusit ekonomik dhe social të të punësuarve, rikthimi i dinjitetit të punonjësve arsimorë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të reja kolektive në sektorët e mbrojtjes së fëmijëve dhe kulturës.
STOJKO RAMOV, KRYETAR I SAPOZGJEDHUR I SASHK-UT
“Do të angazhohem për rikthimin e dinjitetit të punonjësve arsimorë dhe vendosjen e tyre në vendin që e meritojnë në këtë shoqëri. Në periudhën e ardhshme duhet të nënshkruhet marrëveshja kolektive për mbrojtjen e fëmijëve dhe një marrëveshje e re kolektive për kulturën, kështu që na pret shumë punë. Shpresoj se do të hasim në mirëkuptimin e partnerëve socialë, me çka do të arrijmë ta përmirësojmë statusin ekonomik dhe social të punonjësve arsimorë në të gjithë Maqedoninë”.
Lidhur me afatin kohor për realizimin e këtyre pritshmërive, ai theksoi se arritja e marrëveshjes varet nga të dyja palët në negociata.
STOJKO RAMOV, KRYETAR I SAPOZGJEDHUR I SASHK-UT
“Këto janë negociata dhe jo gjithçka varet vetëm nga SASHK-u, por edhe nga pala tjetër. Prandaj, duhet të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, me qëllim arritjen e marrëveshjes”.
Kujtojmë se kryetari i deritanishëm i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, e ka mbajtur këtë pozitë plot 16 vjet.
Samir Mustafa /SHENJA/

