Kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Strumicës, Kostadin Kostadinov, për legalizim të paligjshëm
Policia ka paraqitur kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, dhe dy personave të tjerë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe falsifikim të dokumenteve gjatë legalizimit të një objekti të ndërtuar pa leje në fshatin Kuklish.
“Sektori për Punë të Brendshme Strumicë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Strumicë kundër K.K. (36) nga Strumica, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ishte kryetar i Komunës së Strumicës, S.R. (38) nga Strumica, e cila në atë kohë ishte drejtuese e Sektorit për Urbanizëm, Veprimtari Komunale dhe Tokë Ndërtimore në Komunën e Strumicës, si dhe J.P. (60) nga Manastiri, i cili në atë kohë ishte menaxher i një personi juridik nga Manastiri, tashmë të likuiduar. Ekziston dyshimi i bazuar se K.K. dhe S.R. kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar, ndërsa J.P. veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Në përshkrimin e rastit, MPB-ja thotë se Kostadinovi dhe drejtuesja e atëhershme e Sektorit për Urbanizëm në Komunën e Strumicës, në vitin 2022, mundësuan legalizimin e një objekti në një parcelë kadastrale në fshatin Kuklish, ku kishte objekte në pronësi të komunës.
Sipas kallëzimit, drejtuesja i kishte kërkuar menaxherit të personit juridik nga Manastiri të përgatiste një elaborat për fshirjen e objekteve nga parcela kadastrale. Në elaborat dhe raportin teknik, sipas MPB-së, ishte shënuar se në atë lokacion nuk kishte objekte, ndonëse aty ndodheshin objekte në pronësi të Komunës së Strumicës.
“Legalizimi është kryer në atë mënyrë që S.R. i kishte kërkuar J.P. të përgatiste një elaborat për fshirjen e objekteve nga një parcelë kadastrale në Kuklish dhe ta përdornin atë për fshirjen e objekteve që ishin në pronësi të Komunës së Strumicës, me qëllim që parcela kadastrale të pajisej me fletëpronësi të pastër. J.P. përgatiti elaborat dhe raport teknik me përmbajtje të pavërtetë, ku thuhej se në vendngjarje nuk kishte objekte. Këto dokumente u përdorën më pas në procedurën për fshirjen e objekteve që ishin në pronësi të Komunës së Strumicës dhe të ndërtuara në parcelën kadastrale në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në raportin policor për kallëzimin.
Dokumentet më pas u përdorën në procedurën për fshirjen e objekteve komunale, me qëllim që parcela të pajisej me fletëpronësi të pastër. Në këtë mënyrë, sipas policisë, një person nga fshati Kuklish u mundësua të merrte vendim për legalizimin e një objekti – depoje me sipërfaqe të brendshme prej 161 metrash katrorë. Atij iu mundësua gjithashtu të blinte tokën nën objekt dhe të tjetërsonte një sipërfaqe toke prej 866,46 metrash katrorë, në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e regjistruar atë në emrin e tij.
“Me këto veprime, personat ndaj të cilëve është paraqitur kallëzim penal i mundësuan T.J. nga fshati Kuklish të përfitonte pasuri në mënyrë të kundërligjshme. I kallëzuari i parë lëshoi vendim për legalizimin e një objekti të ndërtuar pa leje, përmes të cilit u legalizua objekti – ndërtesa nr. 1, me destinim I4-B (depo), në katin përdhes, niveli 1, me sipërfaqe të brendshme të hapësirës afariste prej 161 metrash katrorë në parcelën kadastrale. Me këtë procedurë, atij iu mundësua gjithashtu të blinte tokën nën ndërtesë, të tjetërsonte një sipërfaqe prej 866,46 metrash katrorë në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ta regjistronte atë në emrin e tij si pronar”, thonë nga MPB-ja.
Sipas policisë, gjatë procedurës nuk ishin marrë parasysh vendimet e mëparshme gjyqësore. Në vitin 2016, Gjykata e Lartë Administrative e kishte refuzuar ankesën e personit lidhur me kërkesën për legalizim, me arsyetimin se objekti ndodhej në një parcelë mbi të cilën Komuna e Strumicës kishte të drejtë pronësie mbi objektin.
Për më tepër, në vitin 2019 ishte marrë një vendim gjyqësor që konfirmonte se objekti ishte ndërtuar pa lejen përkatëse të ndërtimit. Në bazë të gjendjes së konstatuar, një inspektor i autorizuar i ndërtimit nga Komuna e Strumicës i kishte lëshuar personit vendim për ta larguar ndërtimin.

