BE-ja prezanton strategji të re për të intensifikuar luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore
Komisioni Evropian prezantoi sot një strategji të re për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, duke përcaktuar gjashtë prioritete, përfshirë përdorimin e teknologjisë, bashkëpunimin me sektorin privat, luftimin e krimit të organizuar dhe planet për forcimin e partneriteteve me vendet jashtë Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Më shumë se 20 mijë viktima të trafikimit me qenie njerëzore u regjistruan në gjithë BE-në gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke shënuar një rritje prej 16,1 për qind, sipas një deklarate të Komisionit. Gratë dhe vajzat përbënin 63 për qind të viktimave të regjistruara, shumica e të cilave ishin trafikuar për shfrytëzim seksual ndërsa fëmijët përbënin 15 për qind të numrit të përgjithshëm.
Burrat përbënin 74 për qind të viktimave të trafikuara për shfrytëzim të punës. Prioriteti i parë përqendrohet në shfrytëzimin e teknologjive moderne për të përmirësuar parandalimin, zbulimin dhe hetimin e trafikimit me qenie njerëzore.
Prioriteti i dytë synon forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat për të zvogëluar rreziqet e shfrytëzimit dhe për të përmirësuar zbulimin e hershëm të rasteve.
Në kuadër të prioritetit të tretë, BE-ja do të shtojë përpjekjet për të goditur rrjetet ndërkombëtare të trafikimit të lidhura me krimin e organizuar, përmes bashkëpunimit ndërkufitar, veprimtarive policore të bazuara në inteligjencë, hetimeve financiare dhe rikuperimit të aseteve.
BE-ja u bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare të zgjerojnë bashkëpunimin operacional ndërkufitar përmes ekipeve të përbashkëta hetimore, me mbështetjen e Agjencisë së BE-së për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (Europol) dhe Agjencisë së BE-së për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust).
Prioriteti i katërt trajton rreziqet e trafikimit që lidhen me migracionin, përmes forcimit të procedurave të kontrollit, proceseve kufitare dhe masave mbrojtëse në kushtet e pritjes. Prioriteti i pestë përqendrohet në përmirësimin e gatishmërisë dhe reagimit të shpejtë gjatë krizave ndërsa prioriteti i gjashtë synon forcimin e mbrojtjes së personave të cenueshëm ndaj trafikimit.
Strategjia do të diskutohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian.

