Gashi uron Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen në postin e presidentes së Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen në postin e presidentes së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm institucional për vendin.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi i ka përcjellë urimet e tij të përzemërta presidentes së zgjedhur, ndërsa ka vlerësuar përvojën e saj akademike, institucionale dhe publike.
“Presidentes së zgjedhur të Republikës së Kosovës, akademikes Justina Shiroka Pula, i përcjell urimet e mia të përzemërta për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë shtetërore”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, zgjedhja e presidentes së re shënon hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën dhe përbën një moment të rëndësishëm për konsolidimin e institucioneve, stabilitetin dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendit.
“Dita e sotme për Kosovën hap një kapitull të ri dhe shënon një moment të rëndësishëm institucional për konsolidimin dhe forcimin e institucioneve, për stabilitetin dhe avancimin e perspektivës europiane të vendit”, ka theksuar kryeparlamentari.
Gashi ka shprehur bindjen se Shiroka Pula do të kontribuojë në forcimin e unitetit, dialogut dhe bashkëpunimit në Kosovë, si dhe në avancimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare.
Në urimin e tij, ai ka vënë theks të veçantë edhe te marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke shprehur besimin se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të thellohet.
“Shpreh bindjen se marrëdhëniet e mira vëllazërore dhe bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të thellohen”, ka përfunduar Gashi, duke i uruar presidentes së zgjedhur mandat të suksesshëm.

