Gashi uron 28 Nëntorin: Të ruajmë identitetin kombëtar dhe të ndërtojmë një të ardhme të dinjitetshme
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përcjellë urimet e tij për shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke vlerësuar rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj date.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Gashi ka theksuar se 28 Nëntori simbolizon bashkimin e sakrificave historike dhe aspiratave shekullore të shqiptarëve për liri, duke mbetur një nga datat më të rëndësishme në kujtesën dhe identitetin kombëtar.
“28 Nëntori është një nga datat më domethënëse të historisë kombëtare shqiptare. Është dita kur kujtesa historike, sakrifica dhe aspirata shekullore për liri përbashkohen në një simbol, i cili ndër breza e ka mbajtur gjallë identitetin, dinjitetin dhe krenarinë e popullit shqiptar”, ka shkruar Gashi.
Duke iu referuar rëndësisë së kësaj feste për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kryeparlamentari ka vënë në pah domosdoshmërinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e rinj.
Gashi ka theksuar gjithashtu se avancimi i pozitës së shqiptarëve në vend mbetet një përgjegjësi e vazhdueshme institucionale, duke veçuar barazinë, përfaqësimin e drejtë dhe forcimin e institucioneve demokratike.
“E konsideroj përgjegjësi të vazhdueshme angazhimin për avancimin e barazisë, përfaqësimit të drejtë, si dhe për forcimin e institucioneve demokratike, ku çdo qytetar ndihet i barabartë dhe i respektuar”, ka deklaruar ai.
Në mesazhin e tij, kryetari i Kuvendit ka nënvizuar se dashuria për kombin dhe përgjegjësia ndaj shtetit dhe shoqërisë ku jetojnë shqiptarët janë vlera që plotësojnë njëra-tjetrën, duke u mbështetur në respektin e ndërsjellë, barazinë dhe bashkëjetesën.
“Me dashuri për kombin, me përgjegjësi ndaj shtetit dhe shoqërisë ku jetojmë dhe me respekt për njëri-tjetrin, të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme të dinjitetshme për të gjithë”, ka shkruar Gashi, duke e përmbyllur mesazhin me urimet për Ditën e Flamurit.

