Ministri i Jashtëm turk Fidan: Qëllimi kryesor i Aleancës së Mekës është të kontribuojë në paqe dhe stabilitet

Ministri i Jashtëm turk Fidan: Qëllimi kryesor i Aleancës së Mekës është të kontribuojë në paqe dhe stabilitet

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, të premten tha se qëllimi kryesor i Aleancës së Mekës për Mbrojtje të Përbashkët është të kontribuojë në paqe dhe stabilitet përmes bashkimit të kapaciteteve ushtarake dhe të industrisë së mbrojtjes të vendeve anëtare, raporton Anadolu.

Duke folur për gazetarët pas mbledhjes së dytë të rregullt të Komitetit Strategjik të Politikës dhe Mbrojtjes në Islamabad, Fidan tha se aleanca po përparon me shpejtësi drejt institucionalizimit.

Fidan, i cili mori pjesë në takim së bashku me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Selcuk Bayraktaroglu, tha se komiteti deri më tani ka mbajtur dy mbledhje të rregullta dhe një mbledhje të jashtëzakonshme, ndërsa komitetet e përhershme po vazhdojnë punën e tyre.

Ai theksoi se institucionalizimi dhe funksionalizimi i aleancës kanë qenë prioritetet kryesore që nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Fidan tha se janë marrë të gjitha vendimet parimore për krijimin e një sekretariati të përgjithshëm si seli civile dhe të një komande të përbashkët ushtarake si seli ushtarake.

Ai shtoi se komiteti miratoi të premten shumicën e vendimeve, ndërsa disa çështje u shtynë për mbledhjen e ardhshme.

– Deklarata e përbashkët

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Ministria e Jashtme e Pakistanit pas takimit, Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani riafirmuan përkushtimin e tyre ndaj mbrojtjes kolektive, solidaritetit të ndërsjellë dhe respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të secilit vend.

Komiteti dënoi fuqishëm sulmet e vazhdueshme të Huthive ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Arabinë Saudite, si dhe riafirmoi vendosmërinë e përbashkët për të përshpejtuar përpjekjet në mbështetje të mbretërisë për mbrojtjen e sigurisë së saj, në përputhje me dispozitat për mbrojtjen kolektive të marrëveshjes.

Komiteti mirëpriti gjithashtu përparimin drejt krijimit dhe funksionalizimit të sekretariatit të aleancës në Arabinë Saudite, duke theksuar rëndësinë e tij për koordinim efektiv.

Të tri vendet u pajtuan të vazhdojnë konsultimet politike dhe ushtarake për të thelluar bashkëpunimin, për të mbështetur përpjekjet për uljen e tensioneve rajonale dhe për të nxitur zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe diplomacisë.

Ato riafirmuan gjithashtu përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, zhvillimin e përbashkët teknologjik, trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve, me qëllim rritjen e aftësive të përbashkëta dhe kohezionit të forcave të tyre të armatosura.

– Turqia do të presë mbledhjen e ardhshme të komitetit

Duke njoftuar se Turqia do të presë mbledhjen e ardhshme të komitetit, Fidan tha se përpjekjet për institucionalizimin e aleancës përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë strukturën e sekretariatit, operacionet e përbashkëta, ndarjen e forcave, trajnimin, planifikimin, organizimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu sfidat rajonale, përfshirë tensionet e vazhdueshme në Gjirin Persik, kërcënimin në zhvillim nga Huthit ndaj Arabisë Saudite dhe mundësitë për një rezultat pozitiv në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.

Fidan tha se gjatë mbledhjes së komitetit dhe bisedimeve dypalëshe u trajtuan edhe çështje të tjera, veçanërisht Ukraina.

“Qëllimi kryesor i kësaj aleance është që vendet të bashkojnë jo vetëm kapacitetet e tyre ushtarake, por edhe ato të industrisë së mbrojtjes, për të krijuar fuqi dhe ndikim më të madh dhe për të kontribuuar më shumë në paqe dhe stabilitet”, tha ai.

Fidan theksoi se përkushtimi i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ndaj Aleancës së Mekës ndahet edhe nga liderët e tjerë.

Ai shtoi se janë zhvilluar diskutime të rëndësishme dhe janë marrë disa vendime parimore lidhur me qasjen ndaj vendeve të tjera që synojnë t’i bashkohen aleancës.

– Incidentet gjatë ndeshjes së Besiktasit në Gjeorgji

Duke iu referuar incidenteve gjatë ndeshjes së klubit turk të futbollit Besiktas në Ligën Europa të UEFA-s në Batumi të Gjeorgjisë, Fidan i cilësoi ato si të papranueshme dhe për keqardhje.

Ai tha se menjëherë pas marrjes së lajmit për incidentet, gjatë udhëtimit drejt Pakistanit, kishte kontaktuar homologun e tij gjeorgjian, duke shtuar se përfaqësuesit diplomatikë turq ishin gjithashtu në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët në terren.

Fidan tha se prioritetet e Turqisë ishin ulja e tensioneve, sigurimi që asnjë shtetas turk të mos mbetej në paraburgim apo të pësonte lëndime, si dhe ofrimi i ndihmës së nevojshme.

Duke rikujtuar se ambasadori i Gjeorgjisë në Ankara, Archil Kalandia, është thirrur në Ministrinë e Jashtme të Turqisë, Fidan tha se atij i janë përcjellë paralajmërimet e nevojshme.

“Kjo është një situatë absolutisht e papranueshme për ne. Ajo nuk i përshtatet nivelit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Nuk mund ta pranojmë që tifozët tanë të trajtohen në këtë mënyrë. Besoj se ata i kanë kuptuar mesazhet tona”, tha ai.

MARKETING