Raportohet se hakerët kanë depërtuar në platformën kompjuterike “cloud” të Forcave Ajrore amerikane
Hakerët kanë depërtuar në një platformë kompjuterike “cloud” të Forcave Ajrore amerikane, duke ekspozuar potencialisht informacione të ndjeshme ushtarake, raportoi të premten NBC News, duke cituar një zyrtar amerikan, transmeton Anadolu.
Zyrtari ka konfirmuar sulmin kibernetik për NBC News, por nuk ka pranuar të tregojë se kur ka ndodhur apo çfarë ndikimi mund të ketë pasur.
Forcat Ajrore kanë refuzuar të komentojnë incidentin, duke iu referuar shqetësimeve të sigurisë.
“Departamenti i Forcave Ajrore nuk komenton gjendjen e sigurisë, cenueshmëritë apo statusin operacional të rrjeteve dhe sistemeve të veçanta”, ka thënë një zëdhënës i Forcave Ajrore.
Ky incident është i fundit në një seri sulmesh kibernetike që kanë përfshirë sistemet qeveritare amerikane. Edhe Qendra Kombëtare e Informacionit për Krimet e FBI-së, një bazë të dhënash që përdoret nga agjencitë federale, shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit për shkëmbimin e informacioneve kritike, u bë së fundmi objekt i një sulmi kibernetik.
I pyetur për sigurinë kibernetike, zëdhënësi i Forcave Ajrore ka thënë se mbrojtja e sistemeve ushtarake mbetet prioritet.
“Ne marrim vazhdimisht masa të kujdesshme për të mbrojtur informacionin, sistemet dhe kapacitetet operacionale të departamentit”, ka thënë zëdhënësi. “Garantimi i sigurisë, qëndrueshmërisë dhe disponueshmërisë së aseteve tona më kritike luftarake mbetet prioriteti ynë kryesor”, ka shtuar ai.
Forcat Ajrore kanë thënë se vazhdojnë të vlerësojnë dhe përmirësojnë kapacitetet e tyre “cloud” për t’iu përgjigjur nevojave në ndryshim operacionale, të sigurisë, qëndrueshmërisë dhe përdoruesve.
“Vendimet lidhur me arkitekturën teknike, vendosjen e ngarkesave të punës, kontratat dhe kapacitetet e ardhshme merren përmes proceseve të përcaktuara të qeverisjes, prokurimit dhe menaxhimit të rrezikut”, kanë deklaruar Forcat Ajrore.

