Dimitrieska-Koçoska: Po lëvizim në trajektoren e duhur, investimet janë thelbësore për zhvillimin ekonomik

Dimitrieska-Koçoska: Po lëvizim në trajektoren e duhur, investimet janë thelbësore për zhvillimin ekonomik

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ka deklaruar se ruajtja e ciklit investues duhet të shkojë paralelisht me konsolidimin gradual fiskal, të cilin e konsideron një nga prioritetet kryesore të politikës ekonomike.

Duke folur në panelin “Nga presioni në eurozonë drejt rezistencës fiskale: Prioritetet buxhetore, realiteti në sektorin privat dhe leksionet rajonale”, në kuadër të Konferencës Rajonale “Ohër 2026”, ministrja tha se ekonomia po lëviz në një trajektore pozitive.

“Ciklin investues që kemi pasur gjatë periudhës së fundit duhet ta ruajmë. Gjatë 10 tremujorëve të njëpasnjëshëm kemi pasur vazhdimisht normë rritjeje prej rreth dhe mbi 3%, ndërsa në tremujorin e fundit norma e rritjes ishte 4.3%. Kjo tregon se po lëvizim në një trajektore të duhur”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska.

Sipas saj, një nga sfidat kryesore gjatë përgatitjes së ribalancit të fundit të buxhetit ishte gjetja e ekuilibrit mes nevojës për mbështetjen e investimeve dhe objektivit për konsolidim fiskal.

“Çështja është nëse duhet të synohet që deficiti buxhetor të jetë në nivelin e parashikuar. A është ndoshta i nevojshëm edhe një rishikim i vogël i asaj që është projektuar, me qëllim që të përkrahet cikli investues, i cili po zhvillohet përgjatë një periudhe më të gjatë kohore? Kjo ishte një nga sfidat më të mëdha me të cilat u përballëm si Ministri e Financave gjatë përgatitjes së ribalancit të fundit të buxhetit”, tha ajo.

Ministrja theksoi se vendimi ka qenë që të ruhet një ekuilibër mes këtyre dy objektivave. Ajo paralajmëroi se deficiti buxhetor do të rishikohet në kahje rritëse, por theksoi se pjesa më e madhe e tij do të destinohet për financimin e projekteve që pritet të krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë.

“Definitivisht do të bëjmë rishikimin e deficitit buxhetor në kahje rritëse, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e këtij deficiti do të destinohet për financimin e projekteve që do t’i sjellin vlerë të shtuar ekonomisë. Por, njëkohësisht, do të punojmë me kujdes edhe në anën e të ardhurave, sepse konsolidimi fiskal nuk nënkupton përqendrim vetëm në anën e shpenzimeve”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Duke folur për procesin e konsolidimit fiskal, ministrja tha se Maqedonia e Veriut në vitin 2020 u përball me një deficit të theksuar buxhetor, ndërsa gjatë vitit 2021 nuk arriti të realizojë konsolidimin e tij në nivelin e nevojshëm. Për këtë arsye, sipas saj, procesi i konsolidimit fiskal po zhvillohet me një ritëm më të ngadalshëm.

Në këtë proces, shtoi ajo, ndikojnë edhe shpenzimet që rrjedhin nga të drejtat e përcaktuara me ligj, të cilat në të kaluarën nuk ishin parashikuar në mënyrë adekuate në buxhet.

Dimitrieska-Koçoska vlerësoi se konsolidimi fiskal duhet të mbetet prioritet, pasi ai mund të ndikojë drejtpërdrejt në vlerësimin kreditor të vendit dhe, në të ardhmen, edhe në normat e interesit.

“Prioritet duhet të jetë konsolidimi fiskal, sepse në fund ai do të ndikojë edhe në vlerësimin kreditor, ndërsa në të ardhmen do të ketë ndikim edhe mbi normat e interesit”, deklaroi ministrja.

MARKETING