Organizata rinore e konservatorëve gjermanë kërkon dislokimin e ushtrisë në protestat studentore
Një grup rinor i lidhur me Unionin Demokristian (CDU) të kancelarit Friedrich Merz ka kërkuar dislokimin parandalues të ushtrisë gjermane në protestat studentore të planifikuara të shtunën në Berlin, një propozim që është kritikuar gjerësisht si antikushtetues, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social Instagram, dega Berlin-Mitte e organizatës rinore Junge Union shkroi se “të ashtuquajturat protesta studentore”, të planifikuara për 31 tetor, “duhet të parandalohen”.
“Parisi ka treguar se çfarë dëmesh mund të shkaktojnë urrejtësit e botës së lirë dhe demokratike. Ne kërkojmë përfshirjen parandaluese të Bundeswehr-it për të mbrojtur rendin tonë të lirë. Për të parandaluar terrorin si në Paris”, tha grupi.
Postimi shoqërohej me një imazh të krijuar nga inteligjenca artificiale, ku shfaqeshin ushtarë me helmeta dhe pajisje luftarake pranë Portës së Brandenburgut, monumentit ikonik në qendër të Berlinit, ku janë planifikuar protestat studentore të së shtunës.
Propozimi i grupit rinor të CDU-së nxiti debat në rrjetet sociale, ku kritikët thanë se kërkesa është antikushtetuese, pasi Ligji Themelor i Gjermanisë, në përgjithësi, i kufizon forcat e armatosura në detyra mbrojtëse.
Dislokimi i tyre brenda vendit lejohet vetëm për të mbështetur ushtarakisht policinë kundër kryengritësve të armatosur, kur policia e shteteve dhe ajo federale janë të mbingarkuara dhe rendi i lirë demokratik është i kërcënuar.
Protestat e planifikuara studentore po organizohen nga grupe, përfshirë “Gen Z steht auf” (Gjenerata Z çohet në këmbë ) dhe “Gen Z regelt” (Gjenerata Z merr gjërat në dorë). Ato përqendrohen te financimi më i mirë i shkollave, jetesa e përballueshme, mbrojtja e klimës, kundërshtimi i rekrutimit të mundshëm të detyrueshëm ushtarak dhe shqetësimet për mbikëqyrjen.
“Ne distancohemi qartësisht nga çdo lloj dhune”, i tha medias vendase Akram Selo, bashkëthemelues i nismës “Gen Z steht auf”.

