BOTA NË FOKUS | Venezuela – a po përsëritet skenari i Irakut?
Përshkallëzimi i presionit amerikan ndaj Venezuelës gjatë presidencës së Donald Trump-it nuk mund të kuptohet si një reagim i izoluar apo i rastësishëm ndaj zhvillimeve të brendshme në Karakas. Edhe pse arsyet e Trumpit për të sulmuar Venezulën, janë droga dhe pushteti jolegjitim i Nicolas Maduros, ky kërcënim, sipas ekspertëve, është një alibi e njejtë me atë të pushtimit të Irakut nga SHBA-ja në vitin 2003 kur akuzat e fabrikuara nuk u takuan me realitetin pas pushtimit të paligjshëm.
Edhe pse SHBA-ja është prodhuesi më i madh i naftës në botë, Venezuela mbetet strategjikisht jetike për shkak të rezervave të saj gjigante energjetike dhe minerare. Ajo zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës, si dhe pasuri të mëdha ari, koltani, bakri dhe minerale të rralla, të domosdoshme për teknologjitë moderne. Çështja nuk është furnizimi amerikan me energji, por kontrolli gjeopolitik i burimeve. Sulmi ndaj Venezuelës duhet parë edhe si pjesë e konfliktit më të gjerë global mes SHBA-së dhe rendit multipolar në formim. Karakasi ka forcuar marrëdhëniet me Pekinin dhe Moskën, është përfshirë në projekte alternative financiare dhe energjetike dhe ka refuzuar hapur diktatin amerikan.
“Agresioni ushtarak” i Donald Trump-it ndaj Venezuelës, sipas ekspertëve, nuk buron nga shqetësimi për demokracinë apo luftën kundër drogës. Ai është produkt i një strategjie më të gjerë për ruajtjen e hegjemonisë amerikane, kontrollin e burimeve strategjike dhe frenimin e rendit multipolar në ngritje. Avdi Bakiju /SHENJA/

