BDI: Shqiptarët u lanë jashtë delegacionit në Samitin e NATO-s
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me përbërjen e delegacionit shtetëror të Maqedonisë së Veriut në Samitin e NATO-s në Turqi, duke kritikuar mungesën e përfaqësuesve shqiptarë. Më poshtë deklarata e plotë e partisë:
Përfaqësim pa shqiptarë nuk është përfaqësim i shtetit
Në Samitin e NATO-s në Turqi, Maqedonia e Veriut paraqitet me një delegacion pa asnjë përfaqësues shqiptar.
Kjo është pasqyrë e një mentaliteti politik që e sheh shtetin si pronë të një etnie, ndërsa shqiptarët vetëm si dekor të brendshëm.
Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe anëtare e NATO-s falë një arkitekture politike që ndërtohet mbi barazi, përfaqësim dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Delegacionet shtetërore duhet ta reflektojnë realitetin e vendit, jo ta fshijnë atë.
Përjashtimi i shqiptarëve nga përfaqësimi më i lartë ndërkombëtar është mesazh i gabuar për qytetarët, për aleatët dhe për vetë karakterin e shtetit.
Shteti nuk përfaqësohet drejt kur gjysma e realitetit të tij lihet jashtë.

