ASH: VLEN, ku është Banka shqiptare?!

ASH: VLEN, ku është Banka shqiptare?!

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ndaj koalicionit VLEN lidhur me premtimin për krijimin e një banke me kapital shqiptar, duke akuzuar partnerin shqiptar në Qeveri se, edhe pas më shumë se dy vitesh, ky zotim nuk është realizuar.

MARKETING

Description of image

Nga ASH thonë se VLEN gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar krijimin e një banke shqiptare, rritjen e kapitalit shqiptar dhe fuqizimin ekonomik të shqiptarëve. Sipas kësaj partie, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e këtij premtimi.

“Premtuan bankë shqiptare. Premtuan kapital shqiptar. Premtuan fuqizim ekonomik të shqiptarëve. Kaluan mbi dy vite dhe nga banka shqiptare as emri, as adresa, as themeli”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Kjo parti e lidh çështjen me zhvillimet e fundit në sektorin bankar, duke theksuar se Alta Banka nga Beogradi tashmë zotëron 95.23 për qind të Alta Bankës në Manastir. Sipas ASH-së, ky zhvillim paraqet një kontrast me premtimet e VLEN-it për forcimin e kapitalit shqiptar dhe rritjen e rolit të tij në ekonominë e vendit.

“Ja bilanci i VLEN-it. Banka shqiptare mbeti në programin zgjedhor, ndërsa kapitali serb po forcon pozitat në sistemin bankar të vendit. Ku është banka që ua premtuat shqiptarëve? Ku janë kushtet që thatë se do t’i krijonit?”, pyet ASH.

Nga kjo parti akuzojnë VLEN-in se vazhdon me premtime, ndërsa, sipas tyre, zhvillimet në sektorin bankar po shkojnë në drejtim të kundërt me atë që ishte paralajmëruar para ardhjes në pushtet.

“Dy vite pushtet. Zero bankë shqiptare. 95,23% Alta Banka Beograd. Ky është rezultati”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

MARKETING