Arsimi dhe Shkëndija ndajnë pikët në një ndeshje me katër gola

Arsimi dhe Shkëndija ndajnë pikët në një ndeshje me katër gola

Arsimi i Çegranit ka arritur të marrë një pikë të vlefshme përballë Shkëndijës së Tetovës, pasi ndeshja e zhvilluar në kuadër të xhiros së shtatë të elitës vendore përfundoi me rezultat 2:2.

Shkëndija e Tetovës e nisi më mirë takimin dhe ishte skuadra që e zhbllokoi rezultatin. Në minutën e 18-të, Ibraimi realizoi për 0:1, duke i dhënë epërsinë skuadrës tetovare, raporton SHENJA.

Mysafirët vazhduan të jenë më efikasë në fazën e parë të ndeshjes dhe vetëm 12 minuta më vonë arritën të dyfishojnë avantazhin. Meliqi shënoi për 0:2, duke e vënë Arsimin në një pozitë të vështirë.

Megjithatë, vendasit reaguan në mënyrën më të mirë të mundshme para përfundimit të pjesës së parë. Në minutat e fundit të fraksionit të parë, Kontreras realizoi për 1:2 dhe riktheu shpresat e Arsimit për të marrë rezultat pozitiv.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat patën rastet e tyre, por Arsimi ishte ai që insistoi më shumë për të gjetur golin e barazimit.

Presioni i vendasve u shpërblye në minutën e 80-të. Sërish ishte Kontreras ai që dërgoi topin në rrjetë, duke realizuar golin e dytë personal në këtë takim dhe duke vendosur rezultatin përfundimtar në 2:2.

Kështu, Arsimi i Çegranit siguroi një pikë të rëndësishme pas rikthimit nga disavantazhi prej dy golash, ndërsa Shkëndija e Tetovës duhet të kënaqet me vetëm një pikë, pavarësisht se kishte avantazh të dyfishtë.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot në kuadër të elitës vendore, Tikveshi dhe Struga kanë ndarë pikët gjithashtu me rezultat 2:2.

Kampionati do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës me ndeshje të tjera në program. Të shtunën do të përballen Bashkimi dhe Vardari, ndërsa të dielën Sileksi do të luajë ndaj Bregallnicës.

Xhiroja e shtatë do të përmbyllet të hënën, me përballjen mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Skopjes. /SHENJA/

MARKETING