ALSAR boton librin “Magjepsja nga e bukura, tasavvufi dhe estetika” të autorit Metin Izeti

ALSAR boton librin “Magjepsja nga e bukura, tasavvufi dhe estetika” të autorit Metin Izeti

Dritën e botimit sapo e ka parë një vepër voluminoze e kushtuar besimit dhe jetës shpirtërore të njeriut, të cilën e karakterizon një diapazon i gjerë ideor.

Me autor një personalitet të trajtesave të mistikës islame si Metin Izeti, “Magjepsja nga e bukura, tasavvufi dhe estetika” përbën një botim me shumë vlerë.

Ky titull i ri qëndron mjaft mirë në vargun e botimeve të ALSAR-it, edhe më herët botues i teksteve të kushtuara së njëjtës fushë.

Nga libri kemi sjellë këtu parathënien, të shkruar nga botuesi:

Në atë tërheqje në vetminë medituese të përfituar me shumë mund e tepër rrallë midis zhurmës së përhershme mbizotëruese në vendbanimet masive, quajtur ndryshe dhe metropole, në jetën mes betonit dhe neonit të reklamave që joshin në terr, mendja konstrukton vetvetishëm lëkundjet mbi zgjedhjen ndër pasionet e mëdha njerëzore.

Bashkëjetesa simbiotike e shpirtërores dhe fizikes kërkon mençuri botëkuptimore për t’i dhënë secilës vendin e merituar dhe më në dobi të qenies sonë, si shkak esencial për të vënë në punë arsyen e dhuruar hyjnisht për njeriun e lëshuar në sprovën tokësore. Për të mbërritur te ajo mençuri e kërkuar, barra i bie asaj me çka ushqehemi.

Kur ambientit rrethues material i japim përparësi në orientim, “lëndorja na ka robëruar në kullat e veta dhe s’kemi fuqi të çlirohemi…”. Përndryshe, lumturia e kërkuar me aq ngulm, gabueshëm, në plotësimin e nevojave materiale, “është një gjendje e natyrshme e shpirtit”. “Për të qenë i lumtur, vetëm duhet të heqim dorë nga gjithçka e panevojshme dhe të ndjekim natyrën tonë të pastër….”

MARKETING