Arrestohen dy persona në Strugë, njëri drejtonte veturën me ndalesë, tjetrit iu gjet drogë

Arrestohen dy persona në Strugë, njëri drejtonte veturën me ndalesë, tjetrit iu gjet drogë

Dy persona nga rajoni i Ohrit janë arrestuar në Strugë, pasi njëri prej tyre drejtonte automjetin pavarësisht se kishte ndalesë aktive për drejtim, ndërsa te bashkudhëtari i tij policia gjeti një substancë të dyshuar narkotike.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 20 nëntor, rreth orës 20:20, në rrugën magjistrale Nova Pozharnë në Strugë.

Gjatë një kontrolli në trafik, policia ndaloi një veturë të tipit BMW me targa të Kërçovës, të cilën e drejtonte një 22-vjeçar nga fshati Peshocan i Ohrit. Pas verifikimeve, u konstatua se ai kishte ndalesë aktive për drejtimin e automjetit.

Gjatë kontrollit të bashkudhëtarit, një 37-vjeçar nga Ohri, policia gjeti dhe konfiskoi një substancë të bardhë në formë pluhuri, e dyshuar si drogë.

Të dy personat janë privuar nga liria. Policia njofton se pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojnë kallëzimet përkatëse.

MARKETING