(VIDEO) Burri rreh bashkëshorten, 42-vjeçarja lufton për jetë
Lëndime të rënda dhe gjendje kritike për jetën janë pasojat e dhunës familjare që ka ndodhur në rajonin e Gostivarit, ku një 52-vjeçar ka sulmuar bashkëshorten e tij me një mjet të mprehtë. Gruaja është shtruar në repartin e kujdesit intensiv në Klinikën e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv (KARIL) në Shkup, ndërsa i dyshuari gjatë arrestimit ka sulmuar edhe zyrtarët policorë, duke lënduar njërin prej tyre.
Rastin e ka denoncuar babai i të dyshuarit, i cili ka informuar se sulmi ka ndodhur më 27 nëntor, rreth orës 12:30, në shtëpinë familjare. Sipas informacioneve fillestare, 52-vjeçari, për të cilin MPB-ja njoftoi se ka probleme me shëndetin mendor, fizikisht ka sulmuar bashkëshorten e tij 42-vjeçare me një mjet të mprehtë.
Gruaja fillimisht është dërguar në Spitalin e Gostivarit, por për shkak të seriozitetit të lëndimeve është transportuar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Ajo ka thyerje të brinjëve, gjakderdhje në kokë dhe disa lëndime në pjesë të ndryshme të trupit. Në spital është sjellë pa vetëdije dhe është shtruar në KARIL në gjendje kritike për jetën. Për momentin, ajo merr frymë në mënyrë të pavarur.
Policia e ka privuar nga liria të dyshuarin po atë ditë, në orën 14:10. Gjatë ndërhyrjes, ai ka bërë rezistencë dhe ka sulmuar fizikisht policwt, duke lënduar njërin prej tyre.
Pas arrestimit, burri është dërguar në Spitalin Psikiatrik në Shkup. Nga MPB-ja informojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihet kallëzim përkatës penal.
Edhe Prokuroria Publike ka njoftuar se po ndërmerr veprime urgjente për mbledhjen e provave. Në procedurë janë përfshirë policia dhe Qendra për Punë Sociale, ndërsa kualifikimi juridik i veprës penale do të përcaktohet në bazë të provave të mbledhura. /SHENJA/

