(VIDEO) Dhjetëra persona të arrestuar në vend për sulme, vjedhje, drogë dhe dhunë në familje brenda 24 orëve
Dhuna familjare, vjedhjet, droga dhe përleshjet fizike kanë shënuar një pjesë të raportimeve policore gjatë 24 orëve të fundit. Në Shkup, disa persona janë arrestuar pasi te ta janë gjetur lëndë narkotike, ndërsa janë regjistruar edhe raste të sulmeve ndaj policëve, grabitjes së të miturve dhe përleshjeve në hapësira publike. Në një aksident në autostradën “Nënë Tereza”, pranë nyjës së Radishanit, dy persona nga Kosova kanë marrë lëndime të rënda, ndërsa dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Policia ka raportuar edhe disa raste të dhunës familjare në Tetovë, Koçan, Ohër dhe Prilep, përfshirë pretendime për kërcënime dhe shfrytëzim të një gruaje.
Në Kumanovë është raportuar vjedhje e stolive të arit nga një argjendari, ndërsa në një tjetër rast janë arrestuar persona për vjedhje të sendeve metalike nga një objekt në kuadër të kazermës.
Gjithashtu, janë arrestuar pesë persona për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, përfshirë drejtim pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit. Ndërkohë, policia po heton edhe raste të dhunës mes të miturve, vjedhjeve dhe sulmeve fizike, si dhe një rast në aeroportin e Shkupit, ku një shtetas polak është arrestuar pasi kishte prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa gjatë kontrollit i është gjetur një thikë.
Nga MPB theksojnë se për të gjithë rastet do të vijojë parashtresë përkatëse.
Samir Mustafa /SHENJA/

