Promovohet subjekti i ri politik “Lëvizja Një”, Besim Hoda në krye të saj
Me emrin “Lëvizja Një”, sonte është promovuar subjekti më i ri politik në Maqedoninë e Veriut, i cili do të drejtohet nga Besim Hoda, ish-kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e promovimit, Hoda tha se themelimi i kësaj lëvizjeje është rezultat i pakënaqësisë së akumuluar ndaj, siç u shpreh, padrejtësive të vazhdueshme që u bëhen shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se “Lëvizja Një” synon të mbrojë vlerat shoqërore, të angazhohet për sundimin e ligjit dhe të kërkojë respektimin e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, me theks të veçantë te të drejtat e shqiptarëve.
“Lëvizja Një u themelua si ide për të mbrojtur vlerat shoqërore, për një shtet të së drejtës dhe për respektimin e të drejtave të secilit qytetar. Për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, të cilat ndër vite nuk janë respektuar. UÇK-ja është kapital dhe pasardhësit që erdhën në politikë duhej t’i mbronin të drejtat e shqiptarëve, por zgjodhën heshtjen kur erdhën në pushtet. Lëvizja Një po vjen si pasojë e mosdurimit ndaj padrejtësive. Së bashku themi: boll më, sepse secili meriton të jetojë me dinjitet”, deklaroi Hoda.
Me këtë promovim, skena politike në Maqedoninë e Veriut bëhet me një subjekt të ri politik, i cili, sipas kreut të tij, synon të përfaqësojë një alternativë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe të parimeve të shtetit të së drejtës.

