Dimitrievski kundër provimit të jurisprudencës në shqip: Qëndrimi i ZNAM-it mbetet i pandryshuar
Kryetari i partisë politike “Lëvizja ZNAM për Maqedoninë Tonë”, Maksim Dimitrievski, ka deklaruar se qëndrimi i partisë së tij lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës mbetet i pandryshuar.
Duke folur para fillimit të konferencës zgjedhore, në të cilën ZNAM formoi Klubin e Grave, Dimitrievski kundërshtoi mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke argumentuar se një zgjidhje e tillë, sipas tij, do të krijonte vështirësi në funksionimin e sistemit gjyqësor.
“Do ta them përsëri, Maqedonia nuk mund të përballojë një luks të tillë dhe me një zgjidhje të tillë të vijë në një situatë ku do të gjykohen shqiptarët, maqedonasit dhe të tjerët. Gjykata është autoritet i pavarur dhe duhet t’i trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë”, deklaroi Dimitrievski.
Ai theksoi se, sipas tij, nuk mund të funksionojë një sistem gjyqësor në të cilin gjuha maqedonase është gjuha e parë dhe kryesore zyrtare, nëse nuk zotërohet terminologjia juridike dhe rregulloret ligjore në gjuhën zyrtare origjinale.
Dimitrievski shtoi se ndryshimet e mundshme ligjore për këtë çështje do ta ndërlikonin edhe më tej sistemin gjyqësor në vend.
“Me një ndryshim të tillë shtesë të ligjit, besoj se sistemi gjyqësor në vend vetëm sa do të ndërlikohej. Prandaj, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Po presim mbledhjen e liderëve për të dëgjuar edhe argumentet e tjera”, u shpreh ai.
I pyetur për pozitën e ZNAM-it brenda shumicës qeverisëse, Dimitrievski tha se partia që drejton është subjekt i veçantë politik, i cili qëndrimet e tij i ndërton përmes organeve partiake, përkatësisht Bordit Ekzekutiv dhe Bordit Qendror.
“Qëndrimi ynë është i njohur, jo që nga dje, por prej shumë kohësh. Këto qëndrime u janë bërë të ditura partnerëve tanë politikë në pushtet gjatë riformatimit të Qeverisë”, theksoi Dimitrievski.
Megjithatë, ai nënvizoi se ZNAM mbetet e përkushtuar për të kontribuar në punën e Qeverisë dhe në zbatimin e politikave të premtuara gjatë fushatës zgjedhore.
Ndërkohë, ZNAM sonte në Shkup, në një konferencë ku morën pjesë mbi 400 delegatë, formoi Klubin e Grave të partisë.

