(VIDEO) RMV votoi kundër rezolutës për mbështetjen e refugjatëve palestinezë

(VIDEO) RMV votoi kundër rezolutës për mbështetjen e refugjatëve palestinezë

Maqedonia e Veriut votoi kundër rezolutës së Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e punës së Agjencisë për Ndihmën ndaj Refugjatëve Palestinezë. Me këtë qëndrim, RMV u bë pjesë e grupit prej vetëm 9 shtetesh që kundërshtuan rezolutën, përballë 143 shteteve që votuan pro dhe 20 të tjerave që abstenuan. Në mesin e vendeve që votuan kundër ishin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.

Rezoluta u miratua më 18 nëntor në Komitetin e Katërt të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Rezoluta thekson rolin qendror të agjencisë në reagimin humanitar, si dhe në ofrimin e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve të tjera bazë për refugjatët palestinezë. Në dokument, Izraelit i bëhet thirrje të respektojë privilegjet dhe imunitetet e agjencisë, ndërsa dënohen sulmet ndaj personelit dhe objekteve të saj.

Agjencia për Ndihmën ndaj Refugjatëve Palestinezë u themelua në vitin 1949 me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Veprimtaria e saj përfshin refugjatët palestinezë në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri. Agjencia ofron arsim, shërbime shëndetësore dhe sociale, si dhe ndihmë humanitare emergjente.

Votimi u zhvillua në Komitetin e Katërt të Asamblesë së Përgjithshme, i cili është përgjegjës për çështjet e veçanta politike. Projekt-rezoluta e miratuar tani pritet të shqyrtohet edhe në seancën plenare të Asamblesë së Përgjithshme, në muajin dhjetor.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING