(VIDEO) OKH “Merhamet”, Falënderim për “Vizioni M”, “Klubin Elita”, SHB “Logos-A”, SHB “Shkupi” e Fondacioni “Alsar”

(VIDEO) OKH “Merhamet”, Falënderim për “Vizioni M”, “Klubin Elita”, SHB “Logos-A”, SHB “Shkupi” e Fondacioni “Alsar”

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Kongresit të Manastirit, Organizata Kultutore Humanitare Merhamet po organizon një iniciativë me karakter kulturor, duke e vendosur librin në qendër të vëmendjes. Për dy ditë me radhë, më 21 dhe 22 nëntor në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, qytetarëve do t’u mundësohet të marrin libra falas përmes “Librarisë së Çarshisë”. Kësaj nisme i janë bashkuar Shoqata Kulturore ‘Vizioni M’, Klubi Elita, Shtëpia Botuese “Logos-A”, Shtëpia Botuese “Shkupi” dhe Fondacioni Arsimor, Kulturor dhe Humanitar “ALSAR”, e organizata tjera, të cilët kanë kontribuar për realizimin dhe pasurimin e kësaj librarie.

“Merhamet” e falënderon Shoqatën Kulturore ‘Vizioni M’ për përkrahjen e ‘Librarisë së Çarshisë’. “Si shoqatë që e mbart kulturën në emrin dhe në punën e saj, Vizioni M e kupton thellë vlerën e librit dhe të alfabetit tonë. Ju jemi mirënjohës që jeni pjesë e kësaj nisme dhe që ndani me ne të njëjtin vizion”, theksohet në tekstin e falënderimit.

Në këtë nismë është bashkuar edhe Shtëpia Botuese “Logos-A”, e cila me librat e saj po kontribuon në pasurimin e fondit të “Librarisë së Çarshisë”.  Organizata Mehamet thekson se Klubi Elita zgjodhi të jetë pjesë e “Librarisë së Çarshisë”, duke mbështetur nismën që synon ta bëjë librin më të qasshëm për të gjithë qytetarët, në nder të Kongresit të Manastirit. Kontribut në këtë iniciativë ka dhënë edhe Shtëpia Botuese “Shkupi”, duke iu bashkuar përpjekjes për ta afruar librin me lexuesit dhe për të promovuar kulturën e leximit.

Mbështetja e Fondacionit Arsimor, Kulturor dhe Humanitar “ALSAR” është një tjetër kontribut në këtë nismë. Një fondacion që arsimin, kulturën dhe ndihmën humanitare i ka në themel të veprimtarisë së tij, ku përmes kësaj mbështetjeje vazhdon misionin e afrimit të dijes për të gjithë, pa dallim.

 Organizata Kulturore Humanitare ‘MERHAMET’

“Kanë kaluar 118 vjet. Çdo libër shqip që lexojmë sot mbështetet te ajo që u vendos atëherë në Manastir. Prandaj këtë ditë ne e festojmë me libra. Më 22 Nëntor 1908, në Manastir, u vendos se si do ta shkruajmë shqipen. Pas 118 vjetësh, po e shënojmë me atë që i jep kuptim çdo shkronje: me libra. Librat janë falas: romane, poezi, histori, libra për fëmijë dhe shumë të tjera. Ejani, shfletoni pa nxitim dhe merrni me vete atë që ju flet”.

Nisma e “Librarisë së Çarshisë” lidhet drejtpërdrejt me një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir u mbajt Kongresi i Alfabetit, ku u hodhën themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.

Sot, 118 vjet më vonë, kjo datë shënohet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit me një nismë të Organizatës Kulturore Humanitare ‘MERHAMET’ që e lidh trashëgiminë gjuhësore me leximin dhe dijen. “Libraria e Çarshisë” do të jetë e hapur më 21 dhe 22 nëntor, nga ora 11:00 deri në 17:00, në zyrat e Merhametit, përballë Xhamisë Arasta, ku qytetarët mund të zgjedhin libra falas, dhe të pasurojnë dijet e tyre.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING