(VIDEO) Një e katërta e popullsisë ka qëllim për tu larguar nga RMV
Emigrimi vazhdon të jetë në trend edhe në vendin tonë. Hulumtimi i fundit tregon se çdo i katërti qytetar mendon të largohet nga vendi, ndërsa më e theksuar kjo dukuri është tek të rinjtë. Hulumtimi i SecureMeter 2026 e Këshillit për bashkëpunim rajonal nxjerr në pah se problemet ekonomike, shpenzimet e larta për jetesë dhe mundësitë e pamjaftueshme për të ardhme më të mirë, janë arsyet që i detyrojnë qytetarët e RMV-së të largohen nga vendi.
SecureMeter 2026
“Sipas rezultateve, 26.1 përqind e qytetarëve po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes jashtë vendit. Për 14.2 përqind, ky është një plan i pacaktuar, 6.2 përqind e kanë zhvilluar tashmë një qëllim, ndërsa 5.7 përqind po ndërmarrin hapa konkretë për t’u zhvendosur. Në të kundërt, 68.1 përqind e të anketuarve deklaruan se nuk planifikojnë të largohen nga vendi”.
Të rinjtë janë ata që më së shumti mendojnë të largohen nga vendi.
SecureMeter 2026
“Emigrimi mbetet veçanërisht i theksuar tek të rinjtë. Anketa tregon se 58.1 përqind e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç në Ballkanin Perëndimor po mendojnë të jetojnë ose të punojnë jashtë vendit. Nga këta, 28.7 përqind tashmë kanë një plan konkret ose po ndërmarrin hapa për t’u larguar”.
Në Maqedoni, deri në 80.1 përqind e qytetarëve e konsiderojnë shpopullimin dhe emigrimin si një problem serioz shoqëror. Këto çështje janë ndër tre shqetësimet më të mëdha të popullsisë, pas kostos së jetesës dhe inflacionit, të cilat shqetësojnë 93.8 përqind të të anketuarve, dhe situatës me vendet e punës dhe pagat, të përmendura nga 81.7 përqind. Një tregues shtesë i pasigurisë financiare është fakti se vetëm 31.7 përqind e familjeve mund të mbulojnë një shpenzim të papritur prej 1,000 eurosh pa hyrë në borxhe ose pa kërkuar ndihmë nga të tjerët.
Për qytetarët që mendojnë ta lëshojnë vendin, Bashkimi Evropian mbetet destinacioni më i dëshiruar dhe sipas hulumtimit 52.4% e emigrantëve potencial do të shpërnguleshin në ndonjë nga vendet e BE-së. Në vend të dytë renditet Zvicra, për të cilin vend janë përcaktuar 18.8%, derisa 16.5 do të zgjidhnin SHBA-në, Kanadanë dhe Australinë.
Emine Ismaili /SHENJA/

