Ambasadori turk në Shkup, Alper Aktaş, zhvillon takim me drejtuesit e Fondacionit Qendra për Civilizim Islam – FOCIC
Ambasadori i Turqisë në Shkup, Alper Aktaş, së bashku me këshilltarin për arsim në Ambasadën e Turqisë, Ali Rıza Altunel, përfaqësuesin e Fondacionit Turk Maarif në Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgül, si dhe zëvendëskoordinatorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) në Shkup, F. Çağatay Kaynar, zhvilluan një takim me kryetarin e Fondacionit Qendra për Civilizim Islam (FOCIC), Prof. Dr. Adnan Ismaili, dhe anëtarin e Bordit Drejtues, Prof. Dr. Süleyman Baki.
Gjatë takimit, kryetari i FOCIC-it, Prof. Dr. Adnan Ismaili, informoi ambasadorin Aktaş për punën, aktivitetet dhe angazhimet e fondacionit, ndërkaq nga ana tjetër, anëtari i Bordit Drejtues të FOCIC-it, Prof. Dr. Süleyman Baki, prezantoi historikun dhe rëndësinë e objekteve që u ndërtuan gjatë periudhës së Sulltan Abdylhamidit II dhe që në kohën e Perandorisë Osmane shërbenin si Konak i Vilajetit dhe Telegrafhane, ku sot janë edhe zyret qendrore të FOCIC-it.
Në takim, delegacioni turk i udhëhequr nga ambasadori Aktash, së bashku me përfaqësuesit e FOCIC-it, shkëmbyen mendime lidhur me aktivitetet e fondacionit dhe të ardhmen e objekteve historike të fondacionit.
Trashëgimia osmane e Shkupit: Konaku i Vilajetit dhe Telegrafhaneja
Pranë Çarshisë së Vjetër të Shkupit, në zonën ku ndodhen Xhamia e Mustafa Pashës dhe Kalaja e Shkupit, gjenden Telegrafhane dhe Konaku i Vilajetit, dy ndërtesa të rëndësishme administrative të periudhës osmane.
Ndërtesa e Telegrafhanes, e përfunduar në vitin 1899, gjatë sundimit të Sulltan Abdylhamidit II, luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës së komunikimit në qytet.
Ndërkaq, Konaku i Vilajetit, i njohur nga banorët edhe me emrin „Hyqymet“, ndodhet pranë Telegrafhanes dhe u ndërtua në fund të shekullit XIX. Pas transferimit të qendrës administrative të Vilajetit të Kosovës nga Prishtina në Shkup, në vitin 1888, kjo ndërtesë shërbeu deri në vitin 1912 si seli e institucioneve më të larta administrative të vilajetit.
Ndërtesa dykatëshe përfaqëson një ndërthurje të elementeve të arkitekturës osmane me atë të Evropës Perëndimore.
Të dyja ndërtesat historike pësuan dëmtime nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shkupin në vitin 1963, ndërsa në vitet pasuese iu nënshtruan restaurimit. Gjatë restaurimit të Telegrafhanes u hoq kati i sipërm, i cili ishte shtuar më vonë, ndërsa Konaku i Vilajetit u rikthye në përdorim.
Sot, këto dy objekte historike vazhdojnë të përfaqësojnë dëshmi të rëndësishme arkitekturore të historisë administrative dhe të komunikimit të Shkupit gjatë periudhës osmane.







