(VIDEO) Arrestohet pronari i Alta Bankës në Serbi, mbyllen filialet në Shkup
Mediat serbe kanë raportuar se mëngjesin e sotëm është arrestuar Davor Macura, biznesmeni i afërt me Partinë Përparimtare Serbe dhe pronar i Alta Bankës, ndaj së cilës është shpallur falimentimi. Sipas medias Nova.rs. policia kishte kryer bastisje për më shumë se 30 orë, që nga e shtuna, në ambientet e Alta Bankës. Raportohet se atij i është caktuar paraburgim prej 48 orësh, me urdhër të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar.
Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi dje në administrimin e saj “Alta Banka” Manastir, pas zhvillimeve në lidhje me aksionarin e saj “Alta Banka” SHA Beograd, të cilës i është marrë licenca e punës dhe janë plotësuar kushtet për hapjen e procedurës së falimentimit. Vendimi është miratuar më 1 nëntor 2026 dhe tashmë ka hyrë në fuqi. Prandaj, që sot Alta Banka në Manastir ndërpret përkohësisht shërbimet në degët e saj, deri në një njoftim të radhës. Ndërkohë, mbetet në fuqi edhe kufizimi për përdorimin e mjeteve përmes kartelave bankare, me një limit prej 10.000 denarësh në javë. Nga banka bëjnë të ditur se këto masa janë parandaluese dhe kanë për qëllim mbrojtjen e mjeteve dhe interesave të klientëve. Megjithatë, ende nuk ka një informacion se kur degët do të rihapen.
Ndërkohë, pas vendosjes së administrimit të përkohshëm nga Banka Popullore, guvernatori Trajko Sllaveski u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kompanive që kanë kredi në Alta Banka Manastir që të vazhdojnë t’i përmbushin me kohë detyrimet e tyre financiare. Sipas autoriteteve, masat synojnë mbrojtjen e pasurisë së bankës dhe interesave të depozituesve. Mirëpo, vendosja e administrimit të përkohshëm nuk nënkupton ndërprerjen e detyrimeve kreditore. Banka vazhdon të funksionojë nën drejtimin e përkohshëm të personave të emëruar nga Banka Popullore.
Emine Ismaili /SHENJA/

