(VIDEO) Pesë persona dyshohen për keqpërdorime të mjeteve financiare të FSSH-së
Tre persona nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe dy nga një institucion shëndetësor privat dyshohen për keqpërdorim të mjeteve financiare të FSSH-së, kryesisht për faturim të dyfishtë të shërbimeve shëndetësore, ndaj mëngjesin e sotëm bastisje policore janë kryer në më shumë se 10 dhjetë lokacione në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë në kuadër të hetimit për dyshime për keqpërdorime financiare në sektorin e shëndetësisë . Këtë e ka konfirmuar edhe ministri I Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i cili deklaroi se në këtë rast janë të përfshirë 3 personat nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe 2 personat nga një institucion shëndetësor privat. Pa zbuluar detaje të tjera, Klekovski tha se bëhet fjalë për disa lloje shkeljesh, ku një nga më të theksuarat është faturimi i dyfishtë i shërbimeve shëndetësore, nga pacientët, ashtu edhe nga Fondit i Sigurimit Shëndetësor.
SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Janë marrë para nga Fondi për një shërbim të caktuar, për të cilin ekziston marrëveshje, ndërsa i njëjti shërbim, me pretekste dhe arsyetime të ndryshme, u është faturuar edhe pacientëve.Në aksion është përfshirë një institucion privat shëndetësor, i cili kishte marrëveshje me Fondin e Sigurimit Shëndetësor si dhe disa persona nga Fondi”.
Klekovski shtoi se hetimi i MPB-së ka zgjatur disa muaj dhe bazohet në një hetim që ka zgjatur më shumë se një vit. Siç tha ai, hetimi ishte iniciuar nga vetë ai, gjatë kohës kur ishte në krye të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Sipas informacioneve jozyrtare, dëmi ndaj buxhetit të shtetit tejkalon 1,5 milionë euro, ndërsa përfitimi material i paligjshëm i siguruar nga spitali vlerësohet në rreth katër milionë euro. Në këtë rast, dyshohet se janë dëmtuar edhe një numër i madh pacientësh që janë trajtuar në këtë institucion shëndetësor.
Një pjesë e mediave raportuan se në mesin e personave të kallëzuar është edhe një ish-drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor si dhe se në mesin e të dyshuarve janë edhe ish-drejtues dhe drejtues aktualë të Fondit, si dhe persona nga spitali privat “Sante Plus”.
Edhe nga MPB-ja konfirmuan këtë mëngjes se ekipet e Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, në koordinim me një prokuror kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po kryejnë bastisje në disa lokacione në vend, në kuadër të hetimit për keqpërdorime financiare në një pjesë të sektorit shëndetësor.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

