(VIDEO) Zgjedhjet në Bërvenicë, Gashi: Le të fitojë më i miri!
Përderisa bashkëkryetarët e VLEN-it kanë dhënë deklarata të ndryshme lidhur me atë se kë do ta përkrahin në zgjedhjet e 1 nëntorit në komunën e Bërvenicës, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si njëri nga ish liderët e koalicionit VLEN, është treguar më i matur në qëndrimin e tij.
Gashi tha se në zgjedhje lokale, qytetarët duhet të zgjedhin kandidatin që mendojnë se do ua zgjidh problemet lokale dhe siç tha, “Le të fitojë më i miri”.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Unë uroj që ne t’i tejkalojmë këto provincializma dhe të ndahemi etnikisht, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale. Megjithatë, për fat të keq, ende jemi në një fazë ku te partitë politike dhe në zgjedhje, prioritet është apo shpesh mbisundon elementi etnik, pra se për kë duhet të votohet. Mendoj se sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, kur qytetarët kanë nevojë të zgjidhin probleme esenciale si ujësjellësi, kanalizimi dhe asfaltimi i rrugëve, duhet të fokusohen te zgjidhja më e mirë, te programi më i mirë dhe te kandidati më i mirë. Kjo është ajo që ka rëndësi në parim. Mendoj se duhet të ngrihet kultura politike, por fatkeqësisht ende konstatoj se nuk jemi në atë nivel. Prandaj, uroj që edhe në këto zgjedhje, sikurse në të gjitha zgjedhjet, të fitojë më i miri dhe ai që u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë partiake, etnike, religjioze etj”.
Kujtojmë se bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në emisionion “Debat në Shenja”, tha se do ta përkrahin kandidatin shqiptar, e një ditë më vonë bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Bilall Kasami, tha mbështetja e tyre do të varet nga sjelljet e BDI-së deri në dielen.
Në Bërvenicë në raundin e dytë do të zgjedhjeve lokale do të përballen Stojanço Radiçevski nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe Arkin Jahiji nga koalicioni AKI.
Samir Mustafa /SHENJA/

