(VIDEO) Për 10 muaj Antikorrupsioni ka formuar mbi 800 lëndë për korrupsion

(VIDEO) Për 10 muaj Antikorrupsioni ka formuar mbi 800 lëndë për korrupsion

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 janë iniciuar 285 procedura kundërvajtëse ndaj këshilltarëve komunalë dhe kryetarëve të komunave që nuk e kanë paraqitur gjendjen e tyre pasurore brenda afatit ligjor. Çuçul, në emisionin “IMPAKT” ka folur edhe për denoncimet për parregullsi në sektorë të ndryshëm të jetës publike.

MARKETING

Shik.mk

ADEM ÇUÇUL, KRYETAR I KOMISIONIT SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT

“Sa i përket gjendjes së pronësisë, pjesa më e madhe e lëndëve në vitin 2026 kanë të bëjnë me këshilltarët komunalë dhe kryetarët e komunave, të cilët nuk e kanë paraqitur statusin financiar në afatin e përcaktuar ligjor dhe në 285 raste kemi iniciuar procedura kundërvajtëse. Paralelisht me sanksionin kundërvajtës, ne kërkojmë prej këtyre personave që ta kryejnë obligimin ligjor”.

Çuçul, theksoi se në pjesën e parandalimit të korrupsionit, ata kanë denoncime nga të gjitha fushat, përfshirë shëndetësinë, arsimin, ndërtimtarinë dhe të gjitha sferat e jetës shoqërore. Ndërkaq, Çuçul poashtu njoftoi se deri në muajin tetor janë formuar mbi 800 lëndë. Ai theksoi se Komisioni ka shtuar aktivitetin në shqyrtimin e lëndëve dhe miratimin e vendimeve, ndërsa sipas tij, një pjesë e rasteve janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme.

ADEM ÇUÇUL, KRYETAR I KOMISIONIT SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT

“Kemi formuar mbi 800 lëndë, edhe atë deri në muajin tetor. Do të thotë, numri i lëndëve është rritur ndjeshëm, ndërsa njëkohësisht është përforcuar ndjeshëm aktiviteti i Komisionit në shqyrtimin e atyre lëndëve dhe miratimin e vendimeve. Veçmë kemi miratuar 720, përkatësisht 730 vendime, të cilat janë procesuar dhe publikuar në ueb-faqen tonë. Njëkohësisht, kemi lëshuar mbi 400 kundërvajtje për shkeljen e dispozitave kundërvajtëse nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit”.

Çuçul deklaroi se kanë  përcjellur 11 iniciativa në Prokurori, ku kanë konstatuar dyshime për kryerjen e veprës penale, dhe si tha ai  rreth 10 raste  janë dorëzuar për veprim kompetent të Prokurorisë, për të vlerësuar nëse është kryer vepër penale.

Zebushe Ramadani /SHENJA/

MARKETING