(VIDEO) Mickoski i pakënaqur nga mesazhi i Von der Leyen për ndryshimet kushtetuese
Një ditë pas takimit në Shkup me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Hristijan Mickoski e vlerësoi atë si jashtëzakonisht miqësor, të dobishëm dhe përmbajtësor. Ai tha se takimi mund të jetë kyç për disa procese në të ardhmen, edhe pse, siç theksoi, nuk është i kënaqur me mesazhet për ndryshimet kushtetuese.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Takimin do ta vlerësoja si jashtëzakonisht miqësor, të dobishëm dhe përmbajtësor dhe vlerësoj se ndoshta do të jetë kyç edhe për disa procese në të ardhmen. Pres që këto procese të fillojnë që javën e ardhshme, pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme tashmë i ka dërguar kërkesë homologëve tanë nga fqinji lindor për një takim dypalësh. Nga ana tjetër, nuk mund të them se jam i kënaqur me mesazhet që përcolli presidentja. Ajo tha qartë se ndryshimi i Kushtetutës është ende në tryezë, një çështje që ishte pranuar nga qeveria e mëparshme”.
Lidhur me takimin bilateral të paralajmëruar me palën bullgare, Mickoski u pyet nëse ka marrë përgjigje nga Sofja, çfarë pret nga ky takim dhe çfarë do të ndodhte nëse kërkesa për takim refuzohet, Mickoski tha se në një rast të tillë do të konfirmoheshin edhe një herë të gjitha tezat që, siç tha, i kanë ngritur dhe për të cilat janë të shqetësuar. Megjithatë, ai shtoi se nuk pret që pala bullgare ta refuzojë takimin.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Nuk e pres. Nuk do të ishte e mençur ta refuzonin, por në rregull, kjo është vendimmarrje e tyre sovrane, nuk është vendim i yni. Pranova , do të thoja, një këshillë konstruktive nga presidentja, që t’i kërkoja ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të kërkojë takim në margjinat e takimit kushtuar Korridorit 8. Këtë e bëra, sepse vlerësoj se presidentja kishte absolutisht të drejtë kur e propozoi këtë. Ministri e bëri kërkesën dhe tani mbetet në dorë të fqinjit tonë lindor të vendosë se çfarë do të bëjë më tej”.
Sipas Mickoskit, mesazhet e Von der Leyen megjithatë krijojnë një ndjenjë inkurajimi, veçanërisht mesazhi se angazhimi personal i qeverisë dhe krahasimi i reformave tregojnë se vendi është më i miri në rajon.
Samir Mustafa /SHENJA/

