(VIDEO) Mickoski: Vendi të bëhet aktor në zhvillimin e teknologjisë dhe IA
Kryeministri Hristijan Mickoski, ka deklaruar se inteligjenca artificiale nuk është më një teknologji e së ardhmes, por pjesë e realitetit të së tashmes, ndërsa sipas tij pyetja kryesore është se çfarë roli do të ketë Maqedonia në këtë transformim teknologjik. Mickoski shtoi se vendi nuk duhet të mbetet vetëm vëzhgues i zhvillimeve të reja teknologjike, por duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në to.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Inteligjenca artificiale nuk është më teknologji e së ardhmes për të cilën flasim dhe përpiqemi të parashikojmë se si do të ndikojë një ditë në jetën tonë. Është teknologji e së tashmes, e cila tashmë po ndryshon mënyrën se si punojmë, mësojmë, komunikojmë, prodhojmë, shërojmë, hulumtojmë dhe krijojmë kompani”.
Sipas Mickoskit, çështja nuk është më nëse inteligjenca artificiale do të ndikojë në ekonomi dhe shoqëri, pasi ky proces tashmë ka filluar. Gjithashtu, Mickoski tha se Maqedonia duhet të jetë pjesë aktive e revolucionit të ri teknologjik. Sipas tij, në ekonominë e dijes, më pak rëndësi ka gjeografia, ndërsa më të rëndësishme janë talenti, arsimi, kreativiteti, shpejtësia dhe aftësia për t’i kthyer idetë e mira në produkte.
Kryeministri po ashtu, vlerësoi se ambicia duhet të jetë që idetë, produktet dhe kompanitë e krijuara në Maqedoni të kenë mundësi të rriten dhe të konkurrojnë në tregjet evropiane dhe globale.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

