(VIDEO) Ku shkojnë paratë e qytetarëve? Mbi 350 mijë euro për promovimin e qeverisë përmes kompanisë bullgare
Qeveria sërish do të shpenzojë mbi 350 mijë euro nga paratë publike për reklamimin dhe promovimin e projekteve që realizon. Për këtë qëllim, edhe këtë herë është angazhuar një kompani, njëri prej bashkëpronarëve të së cilës është një firmë e regjistruar në Bullgari.
Më 1 shtator, Qeveria, përkatësisht Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, ka lidhur një kontratë të re me kompaninë “Friday Communications DOOEL Shkup”, në vlerë prej 21,2 milionë denarësh, ose rreth 350 mijë euro. Kontrata përfshin shërbime për produksion video dhe fotografik, monitorim dhe informim lidhur me projektet e Qeverisë. Marrëveshja është lidhur për një periudhë njëvjeçare dhe përfshin tri kategori shërbimesh: produksion video, produksion fotografik dhe fushatë komunikimi.
Kjo kompani tërhoqi vëmendjen e mediave në RMV edhe në maj të vitit 2025, kur lidhi kontratë me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë në vlerë prej 23,6 milionë denarësh, ose rreth 360 mijë euro, për produksion video dhe fotografik, monitorim dhe informim për projektet qeveritare. Në të dyja kontratat, në emër të Qeverisë, është nënshkruar sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev.
Sipas të dhënave të “Company Wall”, bashkëpronarë të kompanisë janë Marko Kostadinovski dhe “MK MEDIA GRUP EOOD”. “MK MEDIA GRUP EOOD” është kompani bullgare, e themeluar në vitin 2020, me seli në Bllagoevgrad të Bullgarisë. Administrator i saj është Zoran Milevski, me shtetësi bullgare, ndërsa pronar është Vanço Boshkov, i cili ka marrë pjesë në themelimin e kompanisë dhe ka shtetësi maqedonase.
Një tjetër kontratë që është vlerësuar si kontroverse është ajo e lidhur më 19 mars 2025 mes Qeverisë dhe agjencisë së marketingut “Market Vision”. Kontrata, me vlerë prej 400 mijë eurosh, kishte të bënte me hulumtimin e opinionit publik dhe u lidh vetëm tri ditë pas tragjedisë në Koçan. Marrëveshja u nënshkrua gjatë periudhës shtatëditore të zisë kombëtare të shpallur pas tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj. /SHENJA/

