BOTA NË FOKUS | Investim apo grabitje? Çka po ndodh në Shqipëri?!
Intervistë me Baki Goxhajn, një vlonjat, aktivist dhe programues dhe anëtar i grupimit Palestina e Lirë dhe grupimit Save Vlora.
Bëhet fjalë për një zonë shumë të njohur turistike në jug të Shqipërisë, pranë Vlorës, e vendosur mes detit Adriatik dhe Lagunës së Nartës. Zvërneci është është një kombinim i disa elementeve: fshat bregdetar, zonë natyrore me lagunë, pyje dhe biodiversitet, ishull i vogël brenda lagunës, vend historik dhe fetar ku gjendet manastiri i Shën Mërisë, një monument bizantin i shekullit XIII.
Për të kuptuar pse po protestohet, është thelbësore çështja e pronësisë së tokës, sepse konflikti nuk është thjesht për një projekt turistik, por për atë se kush e zotëron realisht tokën dhe si është marrë ajo. Me gjasë kjo është nyja e kontestit e nga ana tjetër kryeministrit Edi Rama kënbëngul se pavarësisht gjithçkaje, ai do të luftojë deri në fund që projekti të realizohet. Ndërkohë, toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura, pavarësisht lejes së zhvillimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Toka i është shitur kompanisë “Albania Land Development” e cila nuk ka një “pronar të vetëm” klasik, por ka një strukturë pronësie përmes kompanive të tjera edhe pse mbeten shumë të fshehura dhe paqartësi. Megjithatë, pronarët përfitues kryesorë janë të identifikuar si dy vëllezër nga Katari. Pamjet e protestuesve në atë vend i kemi parë të gjithë, kur grupe të maskuara erdhën dhe tërhoqën zvarrë njërin prej protestuesve që pretendonte se një pjesë e tokës ishte në pronësi të tij, dhe e gjithë kjo para syve të policisë shqiptare.
Për këtë rast ka reaguar SPAK-u (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), si institucion i pavarur dhe ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshimet për tjetërsimin e pronave në zonë. Protesta vazhdon dhe çështja tashmë po merr një kahje tjetër. Avdi Bakiju /SHENJA/

