Trump thotë se Irani do të “fshihet nga faqja e dheut” nëse sulmohen anijet amerikane
Irani do të “fshihet nga faqja e dheut” nëse sulmon anijet amerikane që operojnë nën “Projektin Liria”, tha presidenti i SHBA-së Donald Trump për Fox News të hënën, transmeton Anadolu.
“Fola me presidentin Trump për 20 minuta për situatën me Iranin. Ai foli për Projektin Liria dhe për përpjekjet e SHBA-së për të udhëhequr anijet përmes Ngushticës së Hormuzit, duke lëshuar një paralajmërim të ri ndaj regjimit iranian, duke thënë se nëse iranianët përpiqen të shënjestrojnë anijet amerikane në këtë zonë, ata, citoj, do të fshihen nga faqja e dheut”, tha gazetari i Fox News Trey Yingst.
Më herët të hënën, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se destrojerë të Marinës amerikane me raketa të drejtuara po operojnë aktualisht në Gjirin Persik pasi kaluan Ngushticën e Hormuzit në mbështetje të “Projektit Liria” për të rikthyer lirinë e lundrimit për transportin tregtar përmes ngushticës.
Trump tha se iranianët po bëhen “më të butë” sesa më parë.
Presidenti i tha Fox News se rritja ushtarake e SHBA-së në rajon po vazhdon.
“Ne kemi më shumë armë dhe municion me cilësi shumë më të lartë se më parë”, u citua të ketë thënë Trump.
“Ne kemi pajisjet më të mira. Kemi gjëra në gjithë botën. Kemi baza në gjithë botën. Të gjitha janë të pajisura me mjete. Ne mund t’i përdorim të gjitha këto dhe do t’i përdorim nëse është e nevojshme”, ka deklaruar ai.
– Thirrje për përfshirjen e Koresë së Jugut
Në një postim në platformën e tij sociale Truth Social, Trump theksoi se Irani ka shënjestruar anije nga “vende të palidhura” që marrin pjesë në trafikun detar, duke përmendur veçanërisht një incident me një anije mallrash të Koresë së Jugut.
“Ndoshta është koha që Koreja e Jugut të vijë dhe të bashkohet me misionin”, tha ai, duke shtuar se përveç kësaj anijeje, nuk janë raportuar dëme të tjera në ngushticë.
Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut konfirmoi se një shpërthim dhe zjarr i mëpasshëm dëmtuan anijen me flamur panamez HMM Namu ndërsa ishte e ankoruar pranë Emirateve të Bashkuara Arabe.

