(VIDEO) Zgjedhjet lokale, kandidatët vazhdojnë aktivitet me qytetarët
Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë rritet intenziteti i kandidatëve që marrin pjesë në zgjedhjet lokale të përsëritura në Vrapçishtë, Gostivar dhe Mavrovë Rostushë e Qendër Zhupë. Në vigjilje të kësaj, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, për Komunën e Vrapçishtit, Isen Shabani ka zyrtarizuar koalicionimin me Partinë Demokratike Turke. Sipas Shabanit, ky hap përfaqëson vazhdimësinë e një bashkëpunimi të suksesshëm.
ISEN SHABANI, KANDIDAT I AKI-SË PËR KOMUNËN E VRAPÇISHTIT
“Marrëveshja konfirmon se uniteti dhe vizioni i përbashkët janë çelësi i zhvillimit dhe përparimit. Marrëveshja është garanci e mbështetjes në zgjedhjet e 11 Janarit dhe një angazhim i përbashkët për të vazhduar punën në të mirë të qytetarëve“.
Ndërkaq, në rrjetet sociale, aktivitetet e tija i ka plasuar edhe Zulhajrat Demiri – kandidat i pavarur por i mbështetur nga VLEN dhe Ziadin Sela. Në përshkrimin e tij, Demiri ka thënë se nuk ka kush që i del përpara vullnetit të popullit.
ZULHAJRAT DEMIRI, KANDIDAT I PAVARUR PËR KOMUNËN E VRAPÇISHTIT
“Një ditë përplot me aktivitet dhe me entuziazëm për fitore. Nuk ka kush që i del përpara vullnetit të popullit në percaktimin drejt fitores!
Kujtojmë, zgjedhjet në Vrapçishtë janë të përsëritura dhe me 11 janar do të votohet përshkak se në zgjedhjet e rregullta të tetorit në këtë komunë nuk u arrit cenzusi i votuesve të nevojshëm dhe zgjedhjet u shpallën të pavlefshme. Për të njëjtën arsye zgjedhjet përsëriten edhe në Gostivar, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë.
Mevludin Imeri /SHENJA/

