(VIDEO) Dënimi deri në 500 euro për përdorim të paautorizuar të mjeteve piroteknike
Mjetet piroteknike dhe fishekzjarret mbeten elemente të preferuara të qytetarëve për festim të vitit të ri, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të autoriteteve që ato të mos përdoren, për shkak të shkallës së lartë të rrezikut që përmbajnë. Po përpos rrezikut shëndetësor, përdorimi i mjeteve piroteknike në mënyrë të paautorizuar paraqet vepër penale sipas Kodit Penal.
Ligji për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, në nenin 31, parashikon gjobë për atë që përdor pa autorizim mjete piroteknike. Dënimi është në vlerë prej 200 deri në 500 euro në kundërvlerë denari për atë që pa autorizim shtie me armë zjarri, përdor mjete piroteknike ose materiale të ngjashme shpërthyese apo lehtësisht të ndezshme, ose në mënyrë tjetër e cenon qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.
Neni 396 Kodi Penal
“Kush pa autorizim prodhon, mban, shet, blen ose kryen shkëmbim me armë zjarri, municion ose lëndë shpërthyese, do të dënohet me burg prej tre deri në dhjetë vjet. Nëse objekti i veprës nga paragrafi 1 është sasi e madhe e armëve të zjarrit, municionit ose lëndëve shpërthyese, ose armë zjarri, municion apo lëndë shpërthyese që janë të ndaluara për qytetarët, kryesi do të dënohet me të paktën pesë vjet burg”.
Ndërkaq, tash më është regjistrua incidenti i parë me mjete piroteknike. Një fëmijë nga Gostivari ka marrë lëndime në dorë, pasi i ka shpërthyer petarda në dorë.
MPB
“Më 29.12.2025 në orën 15:10 në Departamentin për Punë të Brendshme Gostivar, Qendra Urgjente Gostivar ka denoncuar se tek ata është sjellë një i mitur me lëndim në dorë. Zyrtarët policor shkuan në vend dhe u konstatua se bëhet fjalë për një tetë vjeçar nga fshati Vrapçisht i Gostivarit, i cili ka marrë lëndime pasi në dorë i ka shpërthyer një petardë. Pas ndihmës së dhënë, për shkak të seriozitetit të plagëve, ai është dërguar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë sa më largë përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë natës së ndrimit të vitit dhe që nga fillimi I muajit ka zhvilluar vazhdimisht fushata senzibilizuese për edukim dhe preventivë. Ndërkaq, edhe Ministria e Shëndetësisë ka porositur se, përdorimi i mjeteve piroteknike mund të shkaktojë lëndime serioze të syve, të pëllëmbëve, djegie si dhe dëmtime të rënda trupore.
Mevludin Imeri /SHENJA/

