(VIDEO) Krerët shtetëror kërkojnë angazhimin për reforma e sundim të ligjit
Në prag të festës së Vitit të Ri, krerët shtetëror kanë përcjellë urimet e tyre për qytetarët, duke shprehur shpresë për paqe, stabilitet dhe mirëqenie. Ata kanë theksuar rëndësinë e unitetit, solidaritetit dhe bashkëpunimit për përballimin e sfidave, si dhe angazhimin për reforma, sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomik, me synim një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në urimin e saj ka shprehur dëshirën që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duke synuar një shoqëri të bazuar në sundimin e ligjit, demokraci, prosperitet ekonomik dhe një mjedis të shëndetshëm. Në planin e brendshëm, Siljanovska-Davkova e vlerësoi vitin 2025 si një vit të fillimit të proceseve kyçe.
GORDANA SILJANOVSKA-DAVKOVA, PRESIDENTE
“Në vend, viti 2025 ishte viti i fillimit të reformave në gjyqësor, hapjes së betejës kundër krimit dhe korrupsionit, krijimit të një strategjie kombëtare zhvillimore, vendosjes së partneriteteve të reja strategjike në funksion të reformave ekonomike dhe të tjera, ofensivës infrastrukturore, zgjidhjes afatgjatë të çështjes energjetike, si dhe zgjidhjes sistematike të bashkëpunimit me diasporën”.
Shëndet, paqe, mirësi dhe dashuri, ka uruar edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Ai tha se Kuvendi ka shënuar avancime të dukshme në transparencë, digjitalizim dhe në forcimin e funksionit mbikëqyrës. Në urimin e tij, Gashi theksoi se përparimi i qëndrueshëm nuk lind vetëm nga proceset dhe reformat, por nga uniteti, pjekuria për të ndërtuar konsensus dhe nga besimi i ndërsjellë.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Vetëm kur qëndrojmë së bashku, me respekt dhe vullnet për të gërshetuar dallimet, si dhe me përgjegjësi ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë e më të ndritur për të gjithë ne. Në Vitin e Ri ju uroj shëndet, paqe, mirësi dhe dashuri në çdo familje. Le ta nisim këtë kapitull me zemër të hapur, me shpresë të pazbehur dhe besim në potencialin tonë si shoqëri”.
Ndërkaq, kryeminstri Hristijan Mickoski, vitin që po vjen e sheh si vit të realizimeve të dukshme të projekteve që janë në plan. Ai premton investime të reja dhe zhvillim ekonomik.
HRISTIJAN MICKSOKI, KRYEMINISTËR
“Me të drejtë mund të them se 2026-ta do të jetë vit lëvizjeje dhe një vit transformimi! Vit i rritjes, me realizim të projekteve domethënëse infrastrukturore. Vit i përforcimit ekonomik, me investime të reja, mbështetje për ekonominë dhe hapjen e mundësive për punë dhe zhvillim. Vit i stabilitetit politik në të cilin institucionet do të funksionojnë më qartë, më me efikasitet dhe me më përgjegjësi”.
Urime për Vitin e Ri 2026, kanë përcjellur edhe figura tjera të jetës politike dhe zyrtarë tjerë shtetëror.
Samir Mustafa /SHENJA/

