(VIDEO) Mickoski: Dislokimi i fabrikës së çimentos “Usje” nuk përbën problem për Qeverinë

(VIDEO) Mickoski: Dislokimi i fabrikës së çimentos “Usje” nuk përbën problem për Qeverinë

Pasi vendi këto ditë po përballet me temperatura të ulëta dhe me ajrë tejet të ndotur, ku Shkupi qendron në vendet e para në Europë me ajër më të ndotur, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se Qeveria do të veprojë brenda kompetencave të saj në bazë të përfundimeve të miratuara nga Këshilli i Qytetit të Shkupit për fabrikën e çimentos “USJE”, duke theksuar se as inspektimet e jashtëzakonshme dhe as zhvendosja eventuale nuk përbëjnë problem nëse kjo është në interes të qytetarëve.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

Po kërkohen kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese dhe ato tashmë po zbatohen. Sa i përket zhvendosjes, as ajo nuk është ndonjë problem për Qeverinë. Çdo gjë që është problem për qytetarët është problem edhe për ne. I kuptoj qytetarët, ata gjithmonë kanë të drejtë – të gjithë jetojmë këtu dhe e thithim këtë ajër”.

Megjithatë, sipas kryeministrit, problemi me ndotjen e ajrit është rezultat i asaj që ai e quan neglizhencë disavjeçare ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj atyre që jetojnë në pjesën lindore dhe perëndimore të kryeqytetit, të cilëve nuk u janë ofruar dhe siguruar burime alternative të energjisë për ngrohjen e shtëpive gjatë sezonit të ngrohjes. Mickoski tha se, për problemin e ndotjes, po kërkohet zgjidhje sistematike.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

Ne si Qeveri po punojmë dhe po zhvillojmë një projekt, për të cilin pres që detajet të bëhen të ditura në fillim të vitit të ardhshëm. Tashmë po bisedojmë edhe me investitorin me të cilin kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e projektit të një centrali kogjenerativ me gaz, me të cilin jemi të sigurt se do të zgjidhim në mënyrë serioze problemin e ngrohjes së shtëpive në hyrjen lindore të qytetit, e më pas të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe në hyrjen perëndimore”.

Kujtojmë se, ambientalistët pretendojnë se fabrika e çimentos “Usje” është shkaktarja kryesore e ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe kërkojnë dislokimin e saj jashtë qytetit dhe për këtë u dorëzua edhe iniciativë në Këshilli i Qytetit të Shkupit, i cili e miratoi atë.

Këshilli e miratoi njëzëri iniciativën e “Qytet i Gjelbër Human” me masat në vijim: Së pari, Qyteti i Shkupit do t’i kërkojë Ministrisë së Mjedisit Jetësor të shqyrtojë nëse “Usje” dhe ndotësit e tjerë industrialë i plotësojnë kushtet ligjore, së dyti, Inspektorati Shtetëror do të kryejë mbikëqyrje inspektuese të paparalajmëruara për të konstatuar gjendjen faktike, së treti, komunat do të duhet t’i marrin parasysh gjetjet gjatë planifikimit urbanistik, dhe së katërti, kryetari i Shkupit do t’i kërkojë Qeverisë të shqyrtojë procedurën për zhvendosjen e “Usje” dhe ndotësve të tjerë jashtë luginës së Shkupit.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING