(VIDEO) Çmimi i energjisë elektrike, Mickoski ia hedh fajin kreut të KRRE-së
Në Kuvend sot është zhvilluar seancë për pyetje të deputetëve. Kriza energjetike dhe rritja e çmimit të rrymës, ka përlasur kreun e partisë opozitare maqedonase LSDM, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Venko Filipçe e pyeti kryeministrin se pse edhe pas thuajse dy vite qeverisje, nuk bënë asgjë për ta përforcuar sektorin energjetik për prodhimin e rrymës dhe se pse nuk prodhohet me kapacitetet maksimal, si pasojë e së cilës tani importohet rrymë të shtrenjtë dhe është shpallur gjendje krize.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Nëse në periudhën tonë të qeverisjes, në krizë të madhe, kur çmimi i rrymës ishte 5 ose 6 herë më e lartë, kishte sukses që të kontrollohet, në vend që tani të zbresë, nëse paskeni pasur kaq kapacitet ta menaxhoni sistemin, është dashur ta bëni këtë këto vitet e fundit, që tani qytetarët të mos kenë harxhim shtesë në faturat e rrymës. Nuk ka justifikime, nuk e di si nuk e kuptoni! Kjo qasje, këto spine – ama ju jeni fajtor, nuk kalojnë! Nëse ka kriminelë do të përgjigjen, ju duhet t’i rrekeni punës”.
Ndërkaq, sa i përket shtrenjtimit të rrymës, Mickoski e udhëzoi Filipçen që ta pyesë anëtarin e ri të udhëheqësisë së LSDM-së, i cili është vëllai i kryetarit të Komisionit Rregullator të Energjisë (KRRE), që është trup i pavarur.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Pse shtrenjtim i rrymës? Për këtë pyetje, zoti Filipçe, ndoshta më së miri do t’ju përgjigjet anëtari i ri Komitetit tuaj Ekzekutiv, zotëri Bislimoski, i cili është vëllai i kryetarit të Komisionit Rregullator, Marko Bislimoski. KRRE, sipas ligjit dhe Kushtetutës, është trup i pavarur. Nuk e di pse ma drejtoni mua këtë pyetje. Supozoj se duhet t’ia drejtoni Marko Bislimoskit, vëllai i të cilit tani është bashkëpunëtori juaj në Komitetin Ekzekutiv apo siç quhet bordi juaj i LSDM-së dhe shpresoj se ai do t’ju japë një përgjigje më të saktë se unë. Dhe pse e manipuluat opinionin me shtrenjtim mbi 5%, mbi 10%, e në fund nuk doli ashtu, por doli rreth 2 e diçka për qind, supozoj se edhe për këtë ata mund t’ju japin përgjigje”.
Shqetësimin për shtrenjtimin e rrymës dhe shpalljen e gjendjes së krizës për mazut e ngriti edhe deputetja e Frontit Europian Rina Ajdari, duke pyetur ministren e Energjetikës se çfarë kanë bërë gjithë verës që të mos vinte puna deri në këtë pikë.
Samir Mustafa /SHENJA/

