(VIDEO) Ligji për Përfaqësim të Drejtë, Gashi: Qeveria do t’ia dorëzojë Kuvendit propozimin në janar

(VIDEO) Ligji për Përfaqësim të Drejtë, Gashi: Qeveria do t’ia dorëzojë Kuvendit propozimin në janar

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, beson se “Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, në muajin janar do të propozohet nga qeveria në Kuvend. Ai tha se ligji ka marrë dritë jeshile nga Komisioni i Venedikut, ndërsa shtoi se kjo është çështje ditësh.

AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR

Nuk kam informacion të saktë, por pas paralajmërimeve se kemi dritë jeshile nga Komisoni i Venecias, është çështje ditësh, besoj se brenda janarit gjithsesi do të jetë i propozuar nga qeveria, megjithatë, është çështje e qeverisë kur ajo e propozon në Kuvend”.

Gashi foli edhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Ai u bëri thirrje grupeve parlamentare që të gjendet vullnet politik dhe në Kuvend të zgjedhet Avokati. Kreu i Kuvendit tha se personalisht do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, sepse është një institucion i rëndësishëm dhe se është e papranueshme që aq gjatë kohë të mos ketë udhëheqës.

AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR

Sa i përket procedurës, ne kemi bërë gjithçka që ajo të ecë normalisht, por po përballemi me vullnetin politik të partive politike. Ju e dini që duhet të votohet me shumicë dhe me një Badenter të madh (20 deputetë nga komunitetet). Po e shfrytëzoj këtë mundësi përmes jush, mediave, të bëj thirrje deri te të gjitha partitë politike që ta zhbllokojnë këtë proces, të gjejmë zgjidhje, të ulen aktorët politikë të gjejnë zgjidhje. Mbi të gjitha, le të jemi të ndërgjegjshëm ndaj një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Avokati i Popullit”.

Gashi pret që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur dhe ai tha se menjëherë do të caktoj seancë, duke sqaruar se pika është në rend të ditës dhe do ta votojnë që të mund të funksionojë edhe në lidhje me zgjedhjet e përsëritura që janë më 11 janar.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING