(VIDEO) BDI: Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive diskriminon shqiptarët
Bashkimi Demokratik për Integrim pretendon se, Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, me të cilën udhëheqë Ivan Stoilkoviqi ka larguar nga puna shtatë punonjës shqiptarë. Përmes një komunikate për media, BDI theksoi se ky vendim , përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimeve të barazisë, bashkëjetesës dhe përfaqësimit të drejtë, dhe siç thonë ata nuk mund të justifikohet me arsyetime të pavërteta dhe fyese për opinionin publik, siç është pretendimi për një të ashtuquajtur “masë disiplinore”.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Që nga dita e parë e formimit të kësaj Qeverie dhe marrja e këtij dikasteri nga ministri Stoilkoviq, punonjësit shqiptarë flasin për një realitet të njohur tashmë: izolim të qëllimshëm në një kat të vetëm të ministrisë, mungesë totale të kushteve bazë të punës, presion të vazhdueshëm psikologjik dhe frikë permanente nga largime selektive. Vendimi i sotëm vetëm sa e konfirmon këtë praktikë të qëndrueshme dhe të mirëorganizuar. Ironia është tronditëse dhe politikisht e rrezikshme: ministria që ka për mision mbrojtjen e barazisë ndëretnike po shndërrohet, me vetëdije, në shembull flagrant të shkeljes së saj”.
BDI gjithashtu cek se ky veprim nuk është as i rastësishëm dhe as individual, por që pasqyron një qasje që cenon drejtpërdrejt frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit. Partia opozitare deklaron se, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi ministrin Stoilkoviq, por edhe mbi partnerët e tij qeveritarë, në veçanti VMRO-VLEN, ku sic thonë ata heshtja e tyre përballë këtij skandali është po aq alarmante sa vetë veprimet e ministrit dhe përbën bashkëpërgjegjësi politike. /SHENJA/

