(VIDEO) Bejta akuzon për keqpërdorime në Gostivar, ASH thotë se janë mashtrime
Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, përmes një konference për media ka zbuluar dy dokumente që lidhen me keqmenaxhimin financiar që kanë bërë deri më tani udhëheqësit aktual të Komunës së Gostivarit, respektivisht, Arben Taravari dhe Valbon Limani.
Ai ka akuzuar udhëheqësinë për keqpërdorime gjatë furnizimeve publike vlera e të cilave është më shumë se miliona denarë. Njëri dokument i publikuar nga Bejta mbanë nënshkrimin e Taravarit kurse tjetri mban nënshkrimin e Limanit.
NEVZAT BEJTA, KANDIDAT I VLEN PËR GOSTIVARIN
“Salla e këshillit e cila për ta bërë efektive mund të kushtojë më së shumti, 50 mijë euro, ata e kanë ndërtuar sallën e këshillit e cila ka kushtuar përafërsisht 750 mijë euro. E kemi dokumentin, çmimin e kemi, e nënshkruar nga Arben Taravari. Ky është keqpërdorimi më i madh në histori të RMV-së dhe më gjerë. Do ju prezantoj fotografitë e sallës, karrikja ku ulet kryesuesi i këshillit kushton 30 euro, kurse ata e kanë vendosur çmimin e karriges mbi 10 mijë euro”.
Akuzave të Bejtës i është përgjigjur vet Arben Taravari që ka paralajmëruar masa institucionale kundër siç ai thotë shpifjeve të kandidatit që do të humb zgjedhjet e 11 janarit. Taravari mes tjerash ka përmendur edhe keqpërdorimet e bëra dhe shitjen e tokës shtetërore në Gostivarë gjatë qeverisjes Bejta.
ARBEN TARAVARI, KRYETAR I ASH-SË
“Për këto shpifje dhe trillime, Aleanca Kombëtare për Integrim do të përgjigjet në mënyrë institucionale. Ky kandidat po dëshmon edhe një herë se është humbës i përsëritur politik dhe manipulator i opinionit publik. Ky është reagimi ynë i parë dhe i fundit ndaj këtij kandidati të komprometuar”.
Përpjasja Bejta-Taravari-Limani vjen në vigjilje të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të përsëritura lokale 11 janarit në Gostivarë.
Mevludin Imeri /SHENJA/

