I caktohet masa e arrestit shtëpiak Lupço Pecovit, i dyshuar në rastin “Zinxhiri”
Gjatë ditës së djeshme, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, para gjyqtarit të procedurës paraprake u paraqit Lj. P., ndaj të cilit më herët ishte caktuar masa e paraburgimit me urdhër për kapje dhe privim nga liria, në kuadër të rastit të njohur për publikun si “Zinxhiri”.
Nga Gjykata Penale bëjnë të ditur se, me propozim të Prokurorisë Publike, gjyqtari vendosi që ndaj të akuzuarit të caktohet masa e arrestit shtëpiak dhe mbikëqyrje e detyrueshme, ndërsa i janë konfiskuar të dy dokumentet e udhëtimit. Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankimi pranë Këshillit Penal.
Sipas njoftimit të Gjykatës, i akuzuari është paraqitur vullnetarisht para organeve të ndjekjes, ndërsa mbrojtja ka dorëzuar dokumentacion mjekësor që dëshmon përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Prokurori kompetent ka vlerësuar se, përveç aspektit shëndetësor, siguria personale e të dyshuarit nuk mund të garantohej në kushtet e paraburgimit, ndaj është propozuar masa e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje 24-orëshe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sqaruan se i dyshuari është i sëmurë dhe se siguria e tij në burgun e “Shutkës” nuk mund të garantohej.
Ndërkohë, të shtunën, avokati Fehmi Stafa, i njohur si avokati i “Djallit”, u arrestua nën dyshimet për ryshfet prej 20 mijë eurosh, të cilat dyshohet se ishin destinuar për një gjyqtar të Gjykatës së Apelit, me qëllim ndikimin në heqjen e masës së paraburgimit për klientin e tij. Megjithatë, rreth dhjetë ditë më parë, tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit e kishin refuzuar këtë kërkesë, pavarësisht ofertës për garanci në vlerë prej një milion eurosh.

