Nis Forumi Hallall i Londrës, në fokus mundësitë e ekonomisë globale hallall
Ka nisur Forumi Hallall i Londrës duke mbledhur sipërmarrës, investitorë, politikëbërës dhe drejtues të industrisë për të shqyrtuar mundësitë në një gamë gjithnjë e më të gjerë sektorësh.
Forumi organizohet nga Halal360, një nismë e përbashkët e Dhomës Islamike të Tregtisë dhe Zhvillimit dhe Kompanisë për Zhvillimin e Produkteve Hallall (HPDC), ndërsa Anadolu është partneri i tij global për komunikimin.
Nën temën “Hallall Tajyib për Njerëzimin”, forumi do të shqyrtojë zgjerimin e ekonomisë hallall përtej certifikimit dhe produkteve ushqimore, duke përfshirë investimet, turizmin, teknologjinë, zinxhirët e furnizimit, brendimin dhe tregtinë ndërkombëtare.
Në fjalën e hapjes, Hassan Khalawi, sekretar i përgjithshëm i Dhomës Islamike të Tregtisë, Industrisë dhe Bujqësisë, tha se Londra ofron një mjedis ideal për zhvillimin e industrisë hallall përmes krijimtarisë dhe lidhjeve ndërkombëtare.
“Na duhet krijimtaria dhe na duhen lidhjet, dhe këto janë gjëra që mund t’i zhvillojmë dhe t’i gjejmë lehtësisht këtu në Londër”, tha Khalawi.
Ai theksoi se ekonomia hallall po shtrihet përtej fokusit të saj tradicional te ushqimi, duke përfshirë një gamë më të gjerë sektorësh të stilit të jetesës muslimane, përfshirë median, teknologjinë dhe artin islam.
Në edicionin e dytë të forumit, i mbajtur vetëm 11 muaj pas aktivitetit të parë, organizatorët prezantuan tri koncepte që përqendrohen te stili i jetesës hallall, teknologjitë hallall dhe arti islam.
Khalawi tha se synimi është që këto nisma të shtrihen përtej Londrës dhe të zhvillohen në tregjet e mbarë botës, duke përmendur planet për një pritje me tematikë hallall në Paris dhe Forumin e ardhshëm Hallall të ASEAN-it në Bangkok.
“Hapi i radhës është që këtë ta çojmë nga këtu në pjesën tjetër të botës”, tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare për zgjerimin e industrisë.
Khalawi falënderoi partnerët dhe sponsorët e forumit për ndihmën në “krijimin e koncepteve kreative hallall kudo”, ndërsa nisma po zgjerohet globalisht. Ai thekesoi se, me parashikimin që popullsia muslimane në botë të arrijë 25 deri në 30 për qind deri në vitin 2050, është thelbësore nga këndvështrimi i biznesit të kuptohet rëndësia e përfshirjes së “të gjithë sektorëve të stilit të jetesës”.
“Hallalli është bërë më shumë se një kërkesë fetare”
Nga ana e tij, Fahad bin Suliman Alnuhait, drejtor ekzekutiv i HPDC-së, tha se hallalli është bërë më shumë se një kërkesë fetare, duke u shndërruar në një standard global për cilësinë, sigurinë dhe besueshmërinë.
Ai tha se Arabia Saudite synon ta shndërrojë pozicionin e saj nga një prej tregjeve më të mëdha të importit të produkteve hallall në botë në një vend prodhues dhe eksportues, në kuadër të strategjisë së diversifikimit ekonomik “Vizioni 2030”.
Alnuhait theksoi rolin e HPDC-së në mbështetjen e këtij transformimi përmes investimeve, zhvillimit industrial dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë tre viteve të para të veprimtarisë, kompania realizoi më shumë se gjashtë investime, mundësoi funksionalizimin e gjashtë fabrikave dhe ndihmoi në vendosjen e selive të tri kompanive ndërkombëtare në Arabinë Saudite, shtoi ai.
Kompania gjithashtu mbështeti krijimin e më shumë se 3.000 vendeve të drejtpërdrejta dhe 5.000 vendeve të tërthorta të punës, ndërsa realizoi 75 projekte këshillimore dhe ndërmori 10 projekte ndërkombëtare qeveritare për të mbështetur zhvillimin e strategjive hallall në vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, shpjegoi ai.
Alnuhait tha se Forumi Hallall i Londrës ofron një platformë të rëndësishme për lidhjen e tregjeve, prodhuesve dhe konsumatorëve, forcimin e zinxhirit të vlerës hallall dhe krijimin e mundësive të reja të biznesit.
“Është një urë”, tha ai, duke përshkruar rolin e forumit në lidhjen e tregjeve evropiane dhe britanike me mundësitë globale.
Pas fjalimeve të hapjes, sponsorëve iu dorëzuan pllaka mirënjohjeje. Zv/drejtori i përgjithshëm i Anadolu-s për Çështjet Administrative dhe Financiare, Oguz Enis Peru, pranoi pllakën në emër të Anadolu-t.

