Një Alfabet për gjallërinë e shpirtit

Një Alfabet për gjallërinë e shpirtit

Metin Izeti

Si mund të shpjegohet se një grup simbolesh të gdhendura në letër, një renditje e tingujve të shprehur në të shkruar, ka fuqinë të shpëtojë një komb nga errësira e margjinalizimit dhe ti mundesoje haperimin me aktualitetin? 22 Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip, nuk është vetem një kremtim i një vendimi gjuhësor. Ai është një kujtim i gjallë i një udhëtimi mistik dhe intelektual, një rrugëtim shpirtëror i rilindasve shqiptarë të shekullit të 19-të, i cili ndjehet thellë dhe me urgjencë të përsëritur sot në përpjekjet për ruajtjen e identitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Rruga e rilindasve nuk ishte fizike. Ajo ishte një pelegrinazh i mendjes dhe i shpirtit nëpër skajet e Perandorisë Osmane dhe më gjerë, në kërkim të një formule të humbur, të një kodi sekret që do të mund të çelte portën e vetëdijes kombëtare. Ata ecnin nëpër Vjenë, Bukuresht, Istanbul, Sofje, duke mbajtur në xhepin e brendshëm një kujtesë të përbashkët: gjuhën amtare, të ndjerë por jo të shkruar në mënyrë të unifikuar, një gjuhë të rrezikuar nga erozioni i kohëve dhe asimilimi i pushteteve të huaja. Në këtë rrugëtim, çdo hap ishte një pyetje filozofike: Kush jemi ne? Çfarë na bën të njëjte në diversitetin tonë? Përgjigjia, e cila u shpalos si një revelacion, ishte gjuha. Por gjuha pa alfabet ishte si një shpirt pa trup, një erë që kalonte pa lënë gjurmë. Prandaj, puna e rilindasve, për të krijuar një alfabet të përshtatshëm, nuk ishte një vepër burokratike. Ajo ishte një vepër krijuese, një “kthim në shkrim” i shpirtit kombëtar. Alfabeti u bë mishërimi i kësaj vetëdije. Ai i dha formë tingujve të malësorëve, fjalëve të fshatarëve, këngëve të luftëtarëve. Ai e transformoi gjuhën nga një fenomen i përkohshëm oral në një monument të përhershëm shkrimor.

Kjo vepër e shtriu horizontin e vetëreflektimit. Tani, shqiptari nuk e ndiente vetëm identitetin nëpër këngë dhe tradita, por mund ta lexonte, ta shkruante dhe, më e rëndësishmja, të mendonte për të. Gjuha e shkruar bërite mundjur dialogun me vetveten dhe me brezat. Ajo krijoi hapësirën e parë të vërtetë publike ku ideja e “kombit shqiptar” mund të debatohej, të përsosej dhe të forcohej. Ishte një lloj pasqyre e re, në të cilën shqiptarët për herë të parë e panë veten si një tërësi kulturore dhe historike. Ky vetë-reflektim ishte parakushti për çdo lëvizje të mëvonshme politike. Para se të kërkohej shteti, u kërkua vetëdija.
Sot, në Maqedoninë e Veriut, kjo dëshmi filozofike përsëritet, por në kushte shumë më dramatike dhe të vështira. Për shqiptarët, lufta për ruajtjen e gjuhës nuk është një çështje akademike ose simbolike; është një mënyrë ekzistence. Në një kontekst ku forcat politike dhe historike shpesh tentojnë ta zvogëlojnë ose ta përziejnë identitetin, gjuha shqipe bëhet forca më e qëndrueshme e rezistencës. Çdo fëmijë që mëson të lexojë dhe të shkruajë në shqip, çdo libër shkollor që botohohet, çdo dokument zyrtar që pranohet në gjuhën amtare, është një përsëritje e atij veprimi të shenjtë të Rilindjes: një akt i qëllimshëm i vetë-përcaktimit.

Rrugëtimi i rilindasve përmblidhet në përpjekjet e shoqërive civile, të intelektualëve dhe të mësuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ata duhet te ecin në një rrugëtim të ngjashëm shpirtëror: duke kërkuar të ruajnë dhe të pasurojnë atë “trup” që u dha alfabeti. Vetë-reflektimi i tyre është i dyfishtë: jo vetëm “Kush jemi ne?”, por edhe “Si të qëndrojmë ne në një mjedis që nganjëherë na kundërshton?” Përgjigjia qëndron pikërisht në fuqinë shpëtuese të shkrimit dhe të leximit. Duke e mbajtur gjuhën e gjallë, nuk e ruajme thjesht një trashëgimi; por e përsërisin çdo ditë aktin krijues të paraardhësve, duke e bërë shpirtin e kombit të prekshëm dhe të përhershëm.

Pra, 22 Nëntori nuk është thjesht një ditë për të kremtuar një vendim të marrë para shumë dekadash. Është një simbol i rrugëtimit të përhershëm të shpirtit shqiptar për të gjetur veten dhe për të qëndruar i qëndrueshëm në botë. Alfabeti nuk është vetëm një mjet komunikimi; ai është shtëpia e identitetit tonë. Dhe në këtë shtëpi, që nga Rilindja deri në ditët e sotme në Maqedoninë e Veriut, nenshtrohet shpirti i pandërprerë i një populli, i cili, edhe kur hesht, flet.

MARKETING