Simfonia Maqedonase

Simfonia Maqedonase

Shkruan: Leyla Sherif Emin

Njerëzit që jetojnë në këtë vend, pra në Maqedoni, janë pjesë e një shoqërie multikulturore. Në të vërtetë, të gjithë jemi si degë të ndryshme të së njëjtës pemë. Megjithatë, vërej diçka shqetësuese: ndërsa mund të ishim shembulli më i mirë në rajon i bashkëjetesës dhe zhvillimit të përbashkët, shpesh përpiqemi t’ia presim degët njëri-tjetrit dhe t’i pengojmë rrugën njëri-tjetrit.

Duke vepruar me mendësinë “nëse unë nuk mundem, as ti të mos mundesh”, nuk arrijmë të kuptojmë se çdo degë që presim i shkakton dëm vetë pemës. Ne pimë kafe nga i njëjti xhezve, vetëm filxhanët i kemi të ndryshëm. Por duke ndotur ujin, duke shuar zjarrin apo duke thyer xhezven, nuk e kuptojmë se në të vërtetë po i bëjmë dëm vetes.

Askush nuk ka ndërmend ta çojë këtë vend diku tjetër. Fati i të gjithëve, bashkohet këtu. A do të digjemi në të njëjtin zjarr apo do të ngrohemi së bashku pranë tij, kjo është mënyra që na takon përsëri neve.

Fatkeqësisht, tensionet që janë shtuar vitet e fundit e bëjnë gjithnjë e më të vështirë të shohim me shpresë drejt së ardhmes. Për shkak të degëve që po i presim çdo ditë e më shumë, në fund të gjithë do të biem në tokë. Madje nuk arrijmë ta shohim as këtë. Në ato degë nuk çelin më lule dhe këtë as që po e vërejmë.

Multikulturalizmi, në vetvete, nuk është një vlerë e mjaftueshme. Ajo që na ngre lart nuk është thjesht ekzistenca e dallimeve tona, por aftësia për t’i bashkuar ato rreth një qëllimi të përbashkët. Përderisa nuk mësojmë të veprojmë së bashku, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe ta shohim ekzistencën e tjetrit si garanci të ekzistencës sonë, nuk do të mund ta çojmë të ardhmen e këtij vendi drejt një horizonti më të ndritshëm.

Sepse forca e një peme nuk qëndron te numri i degëve të saj, por te aftësia e rrënjëve për t’u kapur pas së njëjtës tokë.

Mund t’ju jap edhe një shembull tjetër.

Për vite me radhë kemi marrë pjesë në Festivalin Europian të Këngës-Eurovision. Por asnjëherë nuk kemi dalë në skenë me një këngë që të pasqyrojmë të gjitha ngjyrat, të gjithë zërat dhe të gjithë shpirtin e këtij vendi. Ndërkohë, sikur pranë muzikës tradicionale maqedonase të shtohej një ritëm shqiptar, një melodi turke, gjallëria e melodive rome dhe një frymë moderne që do t’i bashkonte të gjitha në një sintezë të bukur, ndoshta nuk do të kishim qenë thjesht pjesëmarrës në një garë, por do t’i kishim treguar botës se kush jemi.

Sepse ajo që na bën të veçantë nuk është ngjashmëria jonë, por aftësia për t’i kthyer dallimet në një harmoni të përbashkët. Fatkeqësisht, shumë herë kemi kërkuar të ngjasojmë me zërin e të tjerëve, në vend që të gjejmë zërin tonë. Në fund, as nuk arritëm t’i imitonim plotësisht ata dhe as ta shprehnim veten tonë. Dhe çdo herë u kthyem, pa e sjellë në skenë, pasurinë që zotërojmë.

Ndërsa forca më e madhe e këtyre trojeve është pikërisht laramania e tyre. Një vend fiton vlerë në botë vetëm kur rrëfen historinë e vet. Ndoshta ajo që na nevojitet nuk është të heshtim zërat e njëri-tjetrit, por të mësojmë t’i dëgjojmë ata si pjesë të së njëjtës këngë.

Për një Maqedoni më të bukur dhe më të jetueshme; pavarësisht gjuhës, fesë apo prejardhjes sonë, të gjithë duhet të vendosim duart në të njëjtën tryezë dhe të përveshim mëngët. Ky vend është shtëpia jonë e përbashkët. Nëse duam t’u lëmë fëmijëve tanë një të ardhme më të fortë, më të qetë dhe me plot shpresë, duhet të rrisim forcën tonë të përbashkët, jo ndarjet tona.

Sepse hija që do të na freskojë të gjithëve gjendet nën degët e së njëjtës pemë. Gjeografia mund të jetë fat, por ta bëjmë atë fat më të bukur dhe më të vlefshëm është në duart tona. Për një të ardhme më të mirë, ne jetojmë së bashku në këto troje, veprojmë dhe shpresojmë së bashku. Dhe pikërisht ky vullnet i përbashkët është ajo që do ta ngrejë Maqedoninë lart.

MARKETING