Universiteti i Tetovës vatër e dijes dhe vlerave
Shkruan: Prof. Dr. Metin İzeti
Universiteti i Tetovës historikisht eshte më shumë se një institucion i arsimit të lartë; ai përfaqëson një fole të dijes, një simbol të qëndresës dhe një tempull ku kultivohet jo vetëm ngritja intelektuale, por edhe vetëdija dhe emocioni kombëtar e shoqëror. Processet zgjedhore brenda këtij institucioni mbartin gjithmonë një peshë të veçantë, pasi ato reflektojnë pjekurinë e elitës sonë akademike. Zgjedhjet e fundit për rektor shënuan një moment kthese, duke dëshmuar një nivel të lartë të vetëdijes akademike dhe një kulturë të shkëlqyer demokratike që duhet të shërbejë si model për mbarë shoqërinë.
Gara mes tre kandidatëve të shquar—Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prof. Dr. Fehari Ramadani dhe Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti—shpalosi një platformë të pasur idesh dhe mjetesh intelektuale. Gjatë këtij procesi, u vu re një mundësi e shkëlqyer demokratike e lobimeve, ku secili kandidat shfaqi vizionin e tij për të ardhmen e universitetit. Ky proces lobimi, i zhvilluar me dinjitet dhe respekt të ndërsjellë midis kandidateve, tregoi se pedagogët dhe stafi akademik posedojnë një vetëdije të lartë, duke i dhënë përparësi debatit të shëndoshë dhe argumentit profesional përpara interesave sipërfaqësore.
Si rrjedhojë e kësaj gare dinamike dhe transparente, triumfoi një kuadër i ri, energjik dhe shpresëdhënës: Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Zgjedhja e tij në krye të universitetit simbolizon besimin e komunitetit akademik te gjeneratat e reja, te fryma e reformave dhe te vullneti për të ecur përpara në hap me sfidat e kohës moderne globale.
Megjithatë, vlera më e madhe e këtij procesi nuk u pa vetëm te rezultati, por te mënyra se si përfundoi ai. Që të tre kandidatët dëshmuan se zotërojnë vlera të larta njerëzore dhe akademike. Pamja e shtrëngimit të duarve bashkërisht dhe urimi i sinqertë që dy profesorët e nderuar, Jusuf Zejneli dhe Fehari Ramadani, i bënë rektorit të sapozgjedhur, ishte një leksion i hapur i qytetërimit dhe etikës akademike.
Ky akt i lartë xhentilie dhe pjekurie përçon një mesazh të fuqishëm: zgjedhjet kanë kaluar dhe lobimet e ndërsjellë tashmë kanë përfunduar. Sot, Universiteti i Tetovës nuk është i ndarë në kampe, por i bashkuar rreth një qëllimi të vetëm. Të gjithë së bashku, trupi akademik, studentët dhe mbështetësit, qëndrojnë krah rektorit të zgjedhur.
Ky unitet është jetik, sepse sfida e vërtetë fillon tani. Universitetin duhet ta ruajmë, por mbi të gjitha duhet ta mbindërtojmë. Kjo fole e shenjtë e dijes kërkon kontributin e secilit prej nesh për të ngritur standardet, për të fuqizuar kërkimin shkencor dhe për të mbajtur ndezur atë zjarr të vetëdijes dhe emocionit që e bën Universitetin e Tetovës një institucion unik në zemrat tona.

